Pas bisedimeve që zgjatën nga pasditja e hershme deri në orët e para të mëngjesit, JD Vance tha se delegacioni amerikan do të kthehet në shtëpi pa një marrëveshje.
“Ne largohemi nga këtu me një propozim shumë të thjeshtë, një mënyrë mirëkuptimi që ky është oferta jonë përfundimtare dhe më e mirë. Do të shohim nëse iranianët e pranojnë atë”, tha Vance pas 21 orëve bisedime.
Vance tha se gjatë diskutimeve kishin folur disa herë me presidentin Donald Trump.
Ai tha se ekipi i tij nuk arriti ta bënte Iranin të konfirmonte se nuk do të kërkojë një armë bërthamore, as mjetet që do t’i mundësonin ta arrinte shpejt një të tillë. Ai e përshkroi këtë si një qëllim thelbësor të Presidentit Trump dhe shprehu zhgënjim.
Në deklaratat e tij, Vance nuk përmendi Ngushticën e Hormuzit – rrugën kyçe të naftës që SHBA-të kërkojnë që të hapet nga Irani dhe që raportohet se ka qenë një nga pikat kryesore të mosmarrëveshjes në bisedime.
Sipas palës iraniane, bisedimet u zhvilluan në “një atmosferë të mbushur me mosbesim, dyshim dhe pasiguri”, pas më shumë se 40 ditësh “lufte të imponuar” dhe jo shumë kohë pas hyrjes në fuqi të një armëpushimi. ““Nuk duhej të kishim pritur që në fillim se mund të arrinim një marrëveshje”, u shpreh Teherani.
Në një postim në X, kryeparlamentari iranian Mohammad Ghalibaf shprehet se delegacioni iranian “paraqiti iniciativa me vizion për të ardhmen, por pala kundërshtare në fund nuk arriti të fitojë besimin e delegacionit iranian në këtë raund negociatash”.
Ministri i Jashtëm i Pakistanit ka thënë se është e domosdoshme që të dy palët të vazhdojnë të respektojnë armëpushimin e rënë dakord para se të vinin në Islamabad, megjithëse të dyja palët tashmë janë akuzuar reciprokisht për shkeljen e tij.
Izraeli dhe Libani pritet të ulen këtë të martë në Uashington për bisedime direkte, në një përpjekje historike për të ulur tensionet dhe për t’i hapur rrugën një marrëveshjeje. Ndërkohë Izraeli ka vijuar me sulmet ndaj Libanit, duke anashkaluar Bejrutin. Goditjet po ndodhin në jug të vendit, ku raportohet se vala e sulmeve po shënjestron qëllimisht personelin e kujdesit shëndetësor.
Dështimi i negociatave me Iranin, Trump zbardh prapaskenat dhe tregon hapin e radhës: Shkak armët bërthamore! Marina e SHBA-së do bllokojë çdo anije që hyn ose del në Hormuz
Presidenti amerikan Donald Trump është shprehur se negociatat në Pakistan dështuan pasi Irani nuk ra dakord që të mos kishte armë bërthamore.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Trump bëri të ditur se për të gjitha pikat e tjera në negociata u ra dakord.
Trump bën të ditur se që nga ky moment, Marina e SHBA-ve do të bllokojë çdo anije që do të tentojë të hyjë ose të dalë nga Ngushtica e Hormuzit, veçanërisht ato anije që i kanë paguar taksë Iranit.
Ai shtoi se Irani nuk do të mund të përfitojë taksa të paligjshme në Ngushticën e Hormuzit. Trump tha se për shkak se Irani nuk ka hequr dorë nga armët bërthamore, vendi është përballur me shkatërrim dhe vdekjen e liderëve kryesorë. Sipas Shefit të Shtëpisë së Bardhë, Marina e SHBA-së do të punojë gjithashtu për heqjen e minave që mund të jenë vendosur nga Irani në Ngushticën e Hormuzit.
Postimi i Trump në rrjetet sociale:
Ja ku e keni, takimi shkoi mirë, u ra dakord për shumicën e pikave, por e vetmja pikë që kishte vërtet rëndësi, ARMA BËRTHAMORE, nuk ishte. Menjëherë, Marina e Shteteve të Bashkuara, më e Mira në Botë, do të fillojë procesin e BLLOKIMIT të çdo anijeje që përpiqet të hyjë ose të dalë nga Ngushtica e Hormuzit. Në një moment, do të arrijmë në një bazë “TË GJITHË LEJOHEN TË HYJNË, TË GJITHË LEJOHEN TË DALIN”, por Irani nuk e ka lejuar këtë të ndodhë duke thënë thjesht, “Mund të ketë një minë atje diku”, që askush nuk e di përveç tyre. KY ËSHTË SHTATËSHKËMBIM BOTËROR dhe udhëheqësit e vendeve, veçanërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk do të shantazhohen kurrë. Unë gjithashtu kam udhëzuar Marinën tonë të kërkojë dhe të ndalojë çdo anije në Ujërat Ndërkombëtare që i ka paguar një taksë Iranit. Askush që paguan një taksë të paligjshme nuk do të ketë kalim të sigurt në det të hapur. Ne gjithashtu do të fillojmë shkatërrimin e minave që iranianët kanë vendosur në Ngushticë. Çdo iranian që qëllon ndaj nesh ose ndaj anijeve paqësore, do të SHKATËRRITET NË FERR! Irani e di, më mirë se kushdo, si t’i japë fund kësaj situate e cila tashmë e ka shkatërruar vendin e tyre. Marina e tyre është zhdukur, Forcat e tyre Ajrore janë zhdukur, Kundërajrorët dhe Radarët e tyre janë të padobishëm, Khomeini, dhe shumica e “Udhëheqësve” të tyre janë të vdekur, të gjitha për shkak të ambicies së tyre bërthamore. Bllokada do të fillojë së shpejti. Vende të tjera do të përfshihen në këtë bllokadë. Iranit nuk do t’i lejohet të përfitojë nga ky Akt i Paligjshëm i Zhvatjes. Ata duan para dhe, më e rëndësishmja, duan Armët Bërthamore. Për më tepër, dhe në një moment të përshtatshëm, ne jemi plotësisht “të MBYLLUR DHE TË MBARKUR” dhe ushtria jonë do të përfundojë me pak që ka mbetur nga Irani! Presidenti DONALD J. TRUMP
Tensionet në Lindjen e Mesme/ Izraeli dhe Libani drejt bisedimeve direkte, takimi në Uashington të martën
Izraeli dhe Libani pritet të ulen këtë të martë në Uashington për bisedime direkte, në një përpjekje historike për të ulur tensionet dhe për t’i hapur rrugën një marrëveshjeje.
Takimi do të mbahet në Departamentin Amerikan të Shtetit. Ky takim vjen ndërsa Amerika kërkon edhe armëpushim mes palëve. Në tryezë do të jenë ambasadorët Yechiel Leiter, Nada Hamadeh dhe Michel Issa. Presioni nga administrata e Donald Trumpit ndaj Benjamin Netanyahut është rritur, me kërkesë që Izraeli të zbusë operacionet kundër Hezbollahut dhe të japë sinjal për armëpushim.
Megjithatë, Izraeli nuk pranon të ndalë luftimet, duke argumentuar se sulmet me raketa nga Hezbollahu e bëjnë këtë hap të nxituar. Madje, mediat raportojnë për një telefonatë të tensionuar mes Trump dhe Netanyahut, ku është ngritur shqetësimi se Amerika mund të shpallë vetë një armëpushim.
Netanyahu ka sinjalizuar hapje për negociata, por pa ndalur goditjet.
Ndërkohë, luftimet vazhdojnë në terren me sulme nga të dyja palët dhe thirrje nga lideri i Hezbollahut, Naim Qassem, që Libani të mos bëjë lëshime.
Mediat raportojnë se 300 persona u vranë në Bejrut nga sulmet ajrore izraelite në ditën që u njoftua marrëveshja e armëpushimit me Iranin,
Sulmet izraelite kursejnë Bejrutin, ‘tërbimi’ bie mbi jugun e Libanit
Pas reagimeve pas bombardimit vdekjeprurës të Bejrutit, Izraeli i ka kursyer kryeqytetit libanez sulmet e tij të fundit. Por për jugun e Libanit, nuk ka asnjë ndryshim.
Më shumë ndihmësmjekë janë vrarë dhe sipas Minstrisë së Shëndetësisë, mund të jetë një qasje e Izraelit për të shënjestruar punonjësit e shëndetësisë, gjë që mund të përbëjë krim lufte.
Izraeli më herët ka pretenduar se ambulancat po përdoren për qëllime ushtarake, por nuk ka paraqitur kurrë asnjë provë.
Një e pesta e popullsisë së Libanit është zhvendosur.
Trupat izraelite që kanë hyrë në territor vazhdojnë të operojnë brenda Libanit për të krijuar atë që zyrtarët në Izrael e përshkruajnë si një zonë sigurie.
‘Nuk pritej marrëveshje që në fillim’, Teherani: SHBA-të nuk e fituan dot besimin tonë
Esmail Baghaei thotë se nuk pritej kurrë që SHBA-ja dhe Irani të arrinin menjëherë në një marrëveshje.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit shton se bisedimet u zhvilluan në “një atmosferë të mbushur me mosbesim, dyshim dhe pasiguri”, pas më shumë se 40 ditësh “lufte të imponuar” dhe jo shumë kohë pas hyrjes në fuqi të një armëpushimi.
“Nuk duhej të kishim pritur që në fillim se mund të arrinim një marrëveshje në një seancë të vetme. Nuk mendoj se dikush kishte pritshmëri të tilla”, u shpreh ai duke shtuar se megjithatë, “diplomacia nuk mbaron kurrë.”
Në një postim në X, kryeparlamentari iranian Mohammad Ghalibaf shprehet se delegacioni iranian “paraqiti iniciativa me vizion për të ardhmen, por pala kundërshtare në fund nuk arriti të fitojë besimin e delegacionit iranian në këtë raund negociatash”.
Ghalibaf vazhdon: “Nuk do të ndalojmë për asnjë moment përpjekjet tona për të konsoliduar arritjet e 40 ditëve të mbrojtjes kombëtare të Iranit.” Ai shton se bisedimet ishin “intensive” dhe falënderon Pakistanin për lehtësimin e tyre.
Ministri i Jashtëm i Pakistanit thirrje SHBA-ve dhe Iranit: E domosdoshme vazhdimësia e armëpushimit
Ministri i Jashtëm i Pakistanit ka publikuar një deklaratë pas përfundimit të bisedimeve të paqes, duke u bërë thirrje të dyja palëve se është “e domosdoshme që palët të vazhdojnë të respektojnë angazhimin e tyre për armëpushim”.
“Shpresojmë që të dyja palët të vazhdojnë me frymë pozitive për të arritur paqe të qëndrueshme dhe mirëqenie për të gjithë rajonin dhe më gjerë,” thuhet në postimin në X.
Postimi përfundon me deklaratën se Pakistani do të vazhdojë të luajë një rol në lehtësimin e dialogut mes dy palëve “në ditët në vijim”.
Hormuzi, uraniumi i pasuruar dhe 27 miliardë dollarët e ngrirë, New York Times: Këto janë tre çështjet që prishën ‘pazarin’ SHBA-Iran
Tre çështje të nxehta kanë bllokuar marrëveshjen mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit në Islamabad. Bëhet fjalë për kontrollin mbi Ngushticën e Hormuzit, stokun iranian të uraniumit shumë të pasuruar dhe miliardat e dollarëve të ngrirë jashtë vendit.
Kështu shkruan “New York Times”, duke cituar dy zyrtarë iranianë që, sipas gazetës, janë në dijeni të drejtpërdrejtë të negociatave.
Sipas burimeve, delegacioni amerikan i drejtuar nga zëvendëspresidenti James David Vance ka kërkuar rihapjen e menjëhershme të Ngushticës së Hormuzit për trafikun detar. Por Teherani nuk ka pranuar të heqë dorë nga kjo kartë strategjike pa u arritur më parë një marrëveshje përfundimtare paqeje.
Një tjetër nyje e fortë ka qenë dosja bërthamore. Shtetet e Bashkuara këmbëngulin që Irani të dorëzojë ose të shesë të gjithë rezervën e tij prej 408 kilogramësh uranium shumë të pasuruar. Pikërisht këtu, sipas raportimit, nuk është gjetur asnjë kompromis.
Po aq e pazgjidhur ka mbetur edhe kërkesa iraniane për zhbllokimin e rreth 27 miliardë dollarëve fonde të ngrira jashtë vendit. Krahas kësaj, Teherani ka kërkuar edhe dëmshpërblime për dëmet e shkaktuara nga bombardimet, kushte që Uashingtoni i ka rrëzuar.
Kapacitetet bërthamore të Iranit, Vance: Duam të shohim angazhim se nuk do të krijojnë armë nukleare
JD Vance iu përgjigj disa pyetjeve në lidhje me kapacitetet bërthamore të Iranit.
“Fakti i thjeshtë është se ne duhet të shohim një angazhim të qartë se ata nuk do të kërkojnë një armë bërthamore dhe nuk do të kërkojnë mjetet që do t’u mundësonin ta arrinin shpejt një të tillë”, tha zëvendëspresidenti amerikan.
Ai e përshkroi këtë si “qëllimin kryesor” të Trumpit.
Ai gjithashtu tha se ka folur shumë herë me Presidentin e SHBA-ve, Donald Trump, gjatë orëve të bisedimeve. “Nuk e di sa herë kemi folur me të, ndoshta gjashtë herë, ndoshta një duzinë herë gjatë 21 orëve të fundit.”