Një tragjedi është shënuar mëngjesin e sotëm në zonën e Shkëmbit të Kavajës, ku një turist ka humbur jetën, ndërsa një tjetër ndodhet në gjendje kritike.
Ata u gjetën nga Policia Kufitare në ujërat shqiptare. Dyshohet se arsyeja e kësaj tragjedie vjen prej hipotermisë nga qëndrimi i gjatë në det, teksa uniformat blu bëjnë me dije se turistët, të dy banues në Angli, po lundronin me Jet Ski. Sipas policisë, ata ranë në ujë si pasojë e manovrave me Jet Ski, duke humbur kështu kontrollin mbi mjetin lundrues.
Njëri prej të huajve, 34 vjeç, kishte ndërruar jetë në momentin kur mbërriti ambulanca, ndërsa 31-vjeçarja ndodhet në spital në gjendje kritike.
Grupi hetimor po vijon me punën kërkimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
“Rreth orës 11:15, të datës 01.06.2025, shërbimet e Policisë Kufitare Port Durrës janë njoftuar se, në zonën përballë Shkëmbit të Kavajës, dy shtetas që lundronin me një mjet lundrues Jet Ski, dyshohet se gjatë manovrave kanë humbur kontrollin mbi mjetin lundrues dhe kanë rënë në ujë.
Shërbimet e Policisë Kufitare, pas njoftimit të marrë, kanë shkuar me mjet lundrues menjëherë në ndihmë të dy shtetasve që kishin rënë në ujë, duke bërë transportimin e tyre për në port, me qëllim transportimin drejt spitalit. Nga verifikimet paraprake të ekipit të urgjencës së spitalit, që ishte në pritje në port, rezultoi se njëri prej shtetasve që lundronin me Jet Ski, konkretisht shtetasi S. O., 34 vjeç, banues në Angli, kishte humbur jetën, ndërsa shtetasja V. B., 31 vjeçe, banuese në Angli, u transportua menjëherë për në spital në gjendje të rëndë shëndetësore.
Menjëherë është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit”, njofton Policia.