Alban Muço, 49-vjeç është arrestuar ditën e sotme nga Policia e Sarandës, teksa hiqej si prokuror duke mashtruar qytetarët për qëllime përfitimi.
Në pranga ka rënë edhe Erlind Çukari, 19-vjeç për armëmbajtje pa leje dhe pasi strehonte të dyshuarin në banesën e tij.
Sipas informaconeve Alban Muço kishte mashtruar disa persona, duke ngritur një strukturë fiktive me disa individë, të cilëve u kishte thënë se i kishte punësuar si agjentë të policisë gjyqësore pranë Prokurorisë së Përgjithshme. Ai i angazhonte këta persona me “detyra apo shërbime” të ndryshme dhe madje i përdorte edhe si shoferë personalë.
Këta persona, të mashtruar nga pretendimet e tij, paguanin vetë strehimin, ushqimin dhe karburantin e automjetit, me bindjen se do të kompensoheshin më vonë nga institucioni i Prokurorisë së Përgjithshme.
Gjithashtu, 49-vjeçari mashtronte edhe subjekte private, duke u paraqitur si përfaqësues i Prokurorisë së Përgjithshme dhe duke pretenduar se do të blinte automjete në emër të këtij institucioni.
Në disa raste, ai prezantohej edhe si prokuror i SPAK, me qëllim për të fituar akses në institucione të ndryshme dhe për të krijuar besueshmëri tek personat që mashtronte.
Gjatë kontrolleve të kryera blutë sekuestruan një armë zjarri automatik tip “Shars”, municion luftarak dhe dokumente të ndyshme zyrtare, radio si të Policisë dhe një kompjuter të cilat dyshohen se janë përdorur nga 49-vjeçari, në këtë veprimtari kriminale.
Njoftimi i policisë:
Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe profesionale të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Sarandë, në drejtimin e Prokurorisë, pas marrjes së informacionit se një shtetas prezantohej si funksionar publik, për qëllime përfitimi, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Deceiver”.
Në kuadër të këtij operacioni u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:
-A. M., 49 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Mashtrimi”, “Përvetësimi i titullit apo i detyrës shtetërore” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”;
-E. Ç., 19 vjeç, banues në Sarandë, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Nga hetimet dyshohet se duke u prezantuar si prokuror dhe duke i premtuar se do të paguheshin nga institucioni i Prokurorisë, shtetasi A. M. ka punësuar disa shtetas në shërbim të tij, të cilëve ia ka shkaktuar dëm të konsiderueshëm ekonomik. Gjithashtu, ka kërkuar favore në institucione dhe subjekte të ndryshme.
Nga verifikimet e kryera, rezultoi se 49-vjeçari ishte në kërkim pasi kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, caktuar nga Gjykata, për veprën penale “Mashtrimi”, pasi është paraqitur në institucione dhe iu ka marrë para qytetarëve, duke u prezantuar si prokuror.
Në vijim të veprimeve hetimore për dokumentimin e rastit, u krye kontroll në banesën e shtetasit E. Ç., në Sarandë, ku qëndronte shtetasi A. M. Gjatë kontrollit u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 1 armë zjarri automatik tip “Shars”, municion luftarak dhe dokumente të ndyshme zyrtare, radio si të Policisë dhe një kompjuter të cilat dyshohen se janë përdorur nga shtetasi A. M., për mashtrime.
Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme procedurale.