Homazhet për gazetarin dhe publicistin e njohur, Artur Zheji do të mbahen të hënën, më 25 gusht, në ambientet e Universitetit të Arteve të Bukura. Homazhet do të zhvillohen nga ora 10:00 deri në 12:00.
Gazetari u nda nga jeta një ditë më parë pas një arresti kardiak, teksa ndodhej me pushime në Sarandë. Zheji po festonte me familjen datëlindjen e të birit, Patrik, në një restorant dhe nuk është ndjerë mirë. Ai u transportua menjëherë me ambulancë drejt spitalit të qytetit, por mbërriti atje pa shenja jete.
Për ndarjen e tij të parakohshme nga jeta reaguan figura të medias, por edhe të politikës.
Artur Zheji ishte i angazhuar për dekada në fushën e gazetarisë dhe publicistikës në Shqipëri. Ka mbajtur funksione drejtuese në disa media, si tek RTSH, ATSH dhe gazeta Mapo. Veprimtaria e tij përfshin analiza politike, shkrime editoriale dhe drejtimin e programeve televizive. Që nga viti 2017, ai drejtonte emisionin politik dhe analitik “360 Gradë”, një tryezë debati dhe analize për çështjet të vendit dhe botës.