Rusia po shqyrton mundësinë e ndërtimit të një centrali bërthamor në Niger, një shtet i madh dhe i thatë, i vendosur në kufijtë e shkretëtirës Sahara, i cili është i pasur me rezerva të uraniumit, por që detyrohet të importojë pjesën më të madhe të energjisë elektrike që konsumon.
Një projekt i tillë mund të konsiderohet i parealizueshëm dhe ndoshta nuk do të zbatohet kurrë, por vetëm fakti që ideja po shtrohet për diskutim tregon se Moska kërkon të fitojë një avantazh gjeopolitik përballë kombeve perëndimore, vëren BBC.
Tradicionalisht, Nigeri e ka eksportuar gjithmonë mineralin e uraniumit drejt Francës, për përpunim të mëtejshëm atje. Por ky realitet është duke u ndryshuar me shpejtësi, pasi vendi, i drejtuar tani nga një regjim ushtarak, ka vendosur të këpusë lidhjet me ish-fuqinë koloniale.
Në qershor, operacioni i nxjerrjes së uraniumit i grupit francez bërthamor Orano u shtetëzua, hap që i krijoi Rusisë mundësinë për t’u ofruar si partner i ri. Marrëveshja e bashkëpunimit e nënshkruar midis korporatës shtetërore Rosatom dhe autoriteteve të Nigerit ka të bëjë me gjenerimin e energjisë dhe përdorime të tjera, përfshirë ato mjekësore, duke vënë theksin mbi formimin e një ekspertize lokale.
Nëse ky projekt do të realizohej, do të ishte projekti i parë i energjisë bërthamore në Afrikën Perëndimore. Përtej bisedimeve fillestare, nuk dihet se deri ku do të shkojë ky proces. Por edhe me këtë hap të parë, Moska ka treguar se ka kuptuar thellësisht pakënaqësitë e popullsisë vendase.
Pasojat e prishjes së marrëdhënieve mes juntës së Nigerit dhe Francës
Për më shumë se 50 vjet, Orano – që deri në vitin 2018 njihej me emrin Areva – ka nxjerrë uranium në Niger për të furnizuar industrinë bërthamore të Francës, që është në zemër të strategjisë energjetike franceze.
Kompania shtetërore franceze siguron sot shumicën e furnizimeve të saj me uranium nga Kanadaja dhe Kazakistani, ndërsa ka projekte të reja në zhvillim në Mongoli dhe Uzbekistan. Megjithatë, lidhja me Nigerin ka qenë dhe mbetet e rëndësishme, duke pasur edhe një ngarkesë politike dhe kulturore.
Por Franca, gjatë gjithë kësaj kohe, nuk ka ndarë kurrë njohuritë dhe teknologjinë e saj bërthamore me Nigerin, furnizuesin e saj të besueshëm afrikan.
Ndërkohë, Nigeri është i detyruar të mbështetet kryesisht në centralet e tij të vjetra me qymyr dhe në importet e energjisë elektrike nga Nigeria.
Në këtë kontekst, prishja e marrëdhënieve me Francën i ka hapur Moskës mundësinë të ofrojë shpresën – sado të largët – të një të ardhmeje me energji bërthamore, një perspektivë që Areva/Orano nuk ia ofroi kurrë.
“Detyra jonë nuk është vetëm të marrim pjesë në nxjerrjen e uraniumit. Ne duhet të krijojmë një sistem të plotë për zhvillimin e energjisë atomike paqësore në Niger”, deklaroi ministri rus i Energjisë, Sergei Tsivilev, më 28 korrik, gjatë një vizite në Niamey.
Sigurisht, kjo nuk është një nismë krejtësisht altruiste. Rusia ka përfitime të dukshme ekonomike dhe kjo lëvizje është pjesë e një strategjie më të gjerë për të larguar ndikimin perëndimor nga rajoni i Sahelit.
Rusët mund të përfitojnë gjithashtu nga zhvillimi i minierës Imouraren, një nga depozitat më të mëdha të uraniumit në botë. Një projekt francez për zhvillimin e kësaj mine u ndal pas rënies së kërkesës globale për uranium, pas aksidentit bërthamor të Fukushimës (2011, Japoni). Projekti u ringjall në mes të vitit 2023, por vetëm disa javë më vonë junta ushtarake që mori pushtetin ia hoqi Orano-s të gjitha të drejtat mbi këtë minierë.
Pozicion i rëndësishëm në prodhimin e uraniumit
Marrja nën kontroll e këtij aktivi strategjik do të forconte edhe më tej rolin e Rusisë në prodhimin botëror të uraniumit, një mall që sot është jetik për shpresat e botës në përdorimin e energjisë bërthamore për të ulur emetimet e gazeve serrë.
Rusia mund të arrijë gjithashtu të blejë, me një çmim të favorshëm, pjesën më të madhe ose të gjithë 1.400 tonët e koncentratit të uraniumit të përpunuar pjesërisht, që ndodhen në pritje të eksportit nga mina Sominak në Arlit – e operuar nga Orano – e cila u konfiskua nga shteti në qershor.
Këto rezerva ishin grumbulluar fillimisht pasi Ecowas, blloku rajonal i Afrikës Perëndimore, kishte vendosur një bllokadë tregtare ndaj Nigerit pas përmbysjes së presidentit civil Mohamed Bazoum, në korrik 2023. Edhe pasi sanksionet u hoqën, regjimi i ri ushtarak nuk lejoi Orano të rifillonte eksportet.
Edhe Kina shfaqi interes për blerjen e një pjese të këtij uraniumi, ndërsa Nigeri pati kontakte edhe me Iranin, deri në momentin kur SHBA i paralajmëroi që të mos shisnin në atë drejtim.
Megjithatë, plani i vizatuar nga Tsivilev për një central bërthamor në Niger ngre pyetje të mëdha – teknike, ekonomike dhe të sigurisë – në një rajon të njohur për militantizëm islamist. Franca nuk e mori kurrë seriozisht këtë opsion.
Nxjerrja e mineralit mund të bëhet në Niger, por konvertimi, pasurimi dhe prodhimi i karburantit bërthamor kryheshin në uzinën e Orano-s në Cap de la Hague, Normandi, dhe prej andej dërgoheshin drejt centraleve bërthamore franceze.
Ndërtimi i një centrali bërthamor zgjat me vite, kërkon investime kapitale shumë të mëdha dhe, pasi bëhet operativ, ka nevojë për një burim të fuqishëm dhe të qëndrueshëm energjie. Gjithashtu, ka rëndësi nëse konsumatorët industrialë dhe shtëpiakë mund të përballojnë çmimin e energjisë së prodhuar.
Çfarë do të nënkuptonte një central bërthamor në një rajon të paqëndrueshëm
Përveç çështjeve teknike dhe ekonomike, ka pyetje serioze mbi mundësinë për të ndërtuar dhe mbrojtur në mënyrë të sigurt një central bërthamor në Sahel, një rajon sot i brishtë dhe i dhunshëm.
Grupet xhihadiste të armatosura kontrollojnë territore të mëdha në Mali dhe Burkina Faso, si dhe në pjesë të perëndimit të Nigerit, duke e bërë zonën tepër të pasigurt.
Për shkak të kohës, kostove dhe ndërlikimeve që sjell zhvillimi i sektorit bërthamor në Niger, kjo mbetet një perspektivë e largët dhe nuk ofron zgjidhje të shpejtë për krizën aktuale energjetike apo për nevojën e diversifikimit ekonomik.
Por, në thelb, këto pyetje teknike nuk janë kryesore. Çështja kryesore është se Rusia ka shfrytëzuar pakënaqësinë e popullit të Nigerit ndaj qasjes franceze, sipas së cilës vendi duhej të mbetej përgjithmonë një furnizues i thjeshtë i lëndëve të para, pa shpresë për industrializim të mëtejshëm.
Nigeri ndoqi shembullin e Malit dhe Burkina Fasos
Regjimet ushtarake të Malisë dhe Burkina Fasos, aleate të Nigerit, tashmë kanë vendosur të zbatojnë vizionin e tyre të “sovranizmit afrikan” mbi produktin e tyre kryesor të eksportit – arin.Ligjet e reja detyrojnë investitorët e huaj t’u japin partnerëve lokalë role më të rëndësishme dhe të sigurojnë që një pjesë e prodhimit të rafinohet brenda vendit, duke mbajtur më shumë “vlerë të shtuar” për ekonominë vendase.
Në Mali, autoritetet madje mbajtën për disa muaj disa drejtues të kompanisë kanadeze të arit Barrack, për shkak të një mosmarrëveshjeje mbi të ardhurat.
Edhe Nigeri ka ndjekur një qasje të ngjashme. Mbyllja dhe shtetëzimi i operacioneve të Orano u shoqërua me akuza reciproke, ku qeveria dhe kompania akuzuan njëra-tjetrën për obstruksion. Drejtori i Orano-s në vend, Ibrahim Courmo, mbahet i ndaluar pa akuza që nga muaji maj.
Junta aktuale duket e vendosur të mbyllë përfundimisht epokën e shfrytëzimit francez të uraniumit në Niger. Një zyrtar tha për gazetën pariziane Le Monde se: “Orano u ngop me burimet natyrore të vendit tonë.”
Përfundim
Është e vështirë të thuhet se çfarë formë do të marrin konkretisht propozimet e Moskës për partneritet shkencor bërthamor dhe ndoshta edhe për prodhimin e energjisë.
Por një gjë është e sigurt: në Niger, rusët janë ata që kanë lexuar saktë gjendjen politike dhe disponimin e popullsisë vendase.