Një ekip astronomësh italianë ka bërë një zbulim interesant duke përdorur teleskopin hapësinor Hubble. Ata zbuluan një sistem binar në grupin gjigant yjor 47 Tucanae, ku një xhuxh i bardhë rrotullohet rreth një ylli të tipit “blue straggler”.
“Blue stragglers” janë yje që duken më të rinj e më të ndritshëm sesa yjet e tjerë përreth tyre, edhe pse në të vërtetë të gjithë janë formuar në të njëjtën kohë. Arsyeja pse këta yje duken ndryshe besohet të jetë fakti që ata marrin masë shtesë nga një yll shoqërues, ose duke u bashkuar me të, ose duke “vjedhur” materie prej tij. Nga ana tjetër, xhuxhët e bardhë janë mbetjet e yjeve që kanë përfunduar jetën e tyre, pra bërthama e nxehtë dhe e vogël që mbetet pasi ylli ka djegur gjithë karburantin e tij.
Grupi yjor 47 Tucanae ndodhet rreth 15,300 vite dritë larg Tokës, në yjësinë Tucana. Ky grup është shumë i madh dhe i vjetër, por ka një veçanti: përmban shumë sisteme binare dhe burime rrezesh X, çka e bën ideal për studime të tilla.
Ekipi i drejtuar nga shkencëtarja Elisabetta Reggiani nga Universiteti i Firences zbuloi se një nga pesë yjet e tipit “blue straggler” që u vëzhguan, i quajtur BSS4, ka një shok të fshehtë. Analizat treguan se bëhet fjalë për një xhuxh të bardhë shumë të nxehtë, me temperaturë mbi 20 mijë gradë Kelvin dhe me masë më të vogël se gjysma e Diellit. Shkencëtarët mendojnë se ky xhuxh i bardhë është formuar kohët e fundit, ndoshta më pak se 12 milionë vite më parë, pas një procesi ku ylli kryesor mori materie nga shoku i tij.
Të dhënat tregojnë gjithashtu se ylli “blue straggler” po rrotullohet me shpejtësi të lartë, një shenjë që procesi i transferimit të masës mes dy yjeve ndoshta nuk ka përfunduar ende. Në të ardhmen e afërt kozmike, pra pas disa miliona vitesh, ky proces mund të ndryshojë temperaturën dhe pamjen e sistemit.
Ky është një nga sistemet më të reja të këtij lloji që janë zbuluar ndonjëherë. Studiuesit thonë se analiza më e hollësishme e tij, sidomos matja e lëvizjes orbitale të dy yjeve, mund të ndihmojë të kuptohet më mirë sesi formohen dhe zhvillohen këto binarë të pazakontë.