Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro u takua me një përfaqësi të udhërrëfyesve turistikë për shpërndarjen e 700 certifikatave të rinovuara pa afat, me qëllim për të lehtësuar burokracitë dhe përgjigjur më mirë kërkesës së këtyre profesioneve në industrinë e turizmit që gjatë katër viteve të fundit është rritur pothuajse tetë herë.
“Kemi sot në total 932 udhërrëfyes të certifikuar, nga të cilët, 112 udhërrëfyes të specialitetit të veçantë, 691 udhërrëfyes turistikë kombëtarë dhe 120 udhërrëfyes lokalë. E gjitha kjo trupë që është shtuar gati tetë herë në katër vitet e fundit tregon se ka një treg shumë interesant që ka gjeneruar punësim dhe aktivitete për zinxhirin e ekonomisë”, u shpreh ministrja Kumbaro.
Një vendim i tillë, sipas ministres Kumbaro krijon një mjedis më atraktiv për të rinjtë që duan të ndërtojnë një karrierë në turizëm dhe promovojnë vlerat e natyrës, ekoturizmin dhe turizmin e zonave të mbrojtura.
“Nga dy, u bë në 5 vite afati i certifikatave të udhërrëfyesve dhe në këtë pikë ku flasim për industri, nuk ka kuptim që udhërrëfyesit t’i hyjnë burokracive për të rinovuar certifikatat. Nuk kanë më nevojë të rinovojnë periodikisht certifikatat. Kjo ka qenë një kërkesë e sektorit. Sot kurorëzojmë dhënien e 700 certifikatave pa afat që i keni merituar falë punës suaj.”
Gjatë këtij takimi, ministrja Kumbaro u shpreh gjithashtu se sot janë 15 qendra të akredituara që ofrojnë programe trajnimi për formimin e udhërrëfyesve turistikë kombëtarë, lokalë dhe të specialiteteve të veçanta.