(Shënime për përmbledhjen me tregime “Të vdesësh nën diell” të Ervin Nezhës)
Tregimet e Ervin Nezhës godasin me plumb drejt – ose ai e lë që plumbi, apo qoftë edhe një insekt, të hyjë thellë brenda teje dhe ti, mes shumë mënyrash të mundshme ikjesh “përtej”, të zgjedhësh “të vdesësh nën diell”.
Në rrëfimet e Nezhës nuk ka as fitues gjysmakë e as të humbur gjysmakë, edhe pse në asnjë prej rrëfimeve nuk ka qëllim humbësin apo fituesin, por më shumë nevojën dhe mrekullinë e njohjes- atë njohje të njeriut që ka rrugën e vet drejt fatit, pavarësisht dijes apo padijes së tij. Fjalitë e tregimeve të tij kanë një leksik që të shtyn drejt imagjinatës, pasi është një leksik që e ndërton kuptimin si një shtëpi, tullë pas tulle. Fillimi dhe fundi janë të përllogaritura mirë nga autori, por tërheqja drejt rrëfimit të bën të ndjehesh pjesë e gjithçkaje që ngrihet, a thua se je një prej atyre që shkon çdo ditë dhe sheh se si ngrihet një mur.
Gjatë rrëfimit ndjen se si edhe ato që duken periferike apo rastësore, edhe ajo që duket se nuk do të shkrepë kurrë, vijnë e bëhen të rëndësishme kur fundi i tregimit zbulon “gjithçkanë” për personazhin apo historinë. Një “gjithçka” që nuk mbaron në rrëfim, por i hidhet lexuesit në gjoks, dhe duhet t’i hapësh vend, duke kthyer sytë nga gjithçka që mund ta kesh neglizhuar si “të papërfillshme” në historinë e rrëfyer.
Nuk janë mbyllje tregimesh që duan të tregojnë thjesht atë çfarë ka ndodhur, por më fort tentojnë të na sjellibn atë çfarë duhet, atë çfarë e lidh njeriun me kohën, me të përhershmen, me Zotin. Gjuha e Nezhës nuk është as abstrakte e as anonime, por e gjallë, që e fton lexuesin të mendojë, imagjinojë dhe besojë.
Gjetjet e rrëfimeve duket sikur i trokasin kujtesës, si për t’i kërkuar kujtdo se cilat fjalë apo gjeste ndezën pasionin, dashurinë apo edhe ndëshkimin te secili prej nesh. Janë rrëfime me një përshkrim dhe leksik që të ftojnë që botës tënde dhe asaj rreth teje t’i japësh ti formë, t’i japësh ti kuptim.
Whatsapp Image 2025 08 08 At 10.22.18
Ujku, unaza, lulet në varrezë, hetimi për vdekjen e pianistes, trëndafili i borës, letra, shalli, njolla apo i vdekuri dhe stuhia, nuk janë thjesht tituj tregimesh, por fjalë-çelës që herë vijnë sikur janë fare ngjitur me ne e herë duken larg apo lart në qiell. Madje edhe gëzimin, që mund ta ndjesh në krah si pemë krishtlindjesh, duhet ta masësh me fuqinë për ta bartur atë gëzim.
Por a dimë ta mbajmë një gëzim më të madh, sidomos kur e krahasojmë me të tjerë, pa ditur se çfarë na gëzon ne?
Nezha sjell me lehtësi atë që është ndryshe nga ata që prej kohësh mendojnë njëlloj, shkruajnë të njëtat fjalë, shohin të njëjtat imazhe. Janë personazhe që dinë se përse gërvishtin të tjerë dhe ku i dhemb gërvishtja ndaj tyre- janë mes kohës për të nohur veten dhe botën, ndërkohë që fati, e paracaktuara është çarku që Nezha e tund përpara syve të atyre që ka ndërtuar vetë, a thua se nuk ka asnjë fuqi as t’i shpëtojë e as t’i ndalë.
Ironia në rrëfimet e Nezhës qëndron si një regjisor krejt i heshtur, në prapaskenë, përveç tregimit “Po unë kush jam?!”, ku bëhet aktorja kryesore e gjithë rrëfimit, pasi pyetjen e bën një shkrimtar. Pra, ai që beson se duhet të tregojë udhën për të tjerë, vetë nuk e di ende nëse është apo jo në udhë, apo në atë që quhet udhë.
Njëzet tregimet e vëllimit “Të vdesësh nën diell”, botuar nga “Albas”, por edhe tregimet e publikuara më vonë prej tij, janë ftesë për një bashkudhëtim në njohje- një ftesë që Ervini ja ka dalë ta bëjë nën shenjën e tij rrëfyese.