Klubet shqiptare që morën pjesë këtë verë në kupat e Europës nuk i kanë shpëtuar gjobave dhe sanksioneve disiplinore nga UEFA. Në total, Egnatia dhe Vllaznia janë ndëshkuar me mbi 28 mijë euro gjoba, ndërsa Dinamo dhe Partizani kanë kaluar me paralajmërime.
EGNATIA
Debutuesit e Rrogozhinës në arenën europiane rezultuan ekipi më i penalizuar financiarisht. Në ndeshjen kundër Olimpija Ljubljana më 7 gusht, zyrtari Taulant Guma u dënua me pezullim një ndeshje për sjellje jo sportive, ndërsa klubi u gjobit me 7,000 € për sjellje të papërshtatshme të ekipit. Kundër Breidablik, si në fitoren 1-0 (8 korrik), ashtu edhe në humbjen 5-0 (15 korrik), Egnatia mori dy gjoba të tjera prej 6,000 € secila. Në total, Egnatia ka marrë 19,000 € gjoba, duke u renditur klubi më i penalizuar i Shqipërisë në garat europiane këtë edicion.
VLLAZNIA
Vllaznia, që kaloi turin e parë ndaj BFC Daugavpils, është ndëshkuar disa herë nga UEFA. 4,500 € gjobë për sjellje të papërshtatshme të ekipit në ndeshjen e 17 korrikut. Në fitoren ndaj Vikingur Rejkjavik (24 korrik), shkodranët u gjobitën me 4,500 € për hedhje objektesh nga tifozët dhe morën paralajmërim për shkelje të protokollit të ndeshjes (flamuj). Në ndeshjen e kthimit në Islandë (31 korrik), klubi mori vetëm një paralajmërim për sjellje të papërshtatshme të ekipit. Bilanci i Vllaznisë mbyllet me 9,000 € gjoba dhe dy paralajmërime.
DINAMO DHE PARTIZANI
Ndryshe nga Egnatia dhe Vllaznia, Dinamo dhe Partizani nuk kanë pësuar gjoba financiare. Dinamo u paralajmërua dy herë për nisje të vonuar të ndeshjes ndaj Atlètic Club d’Escaldes (31 korrik), njëra si klub dhe tjetra personalisht ndaj trajnerit Ilir Daja. Partizani pësoi të njëjtin sanksion më 17 korrik në duelin ndaj Nome Kalju, me paralajmërime si për klubin, ashtu edhe për trajnerin Skënder Gega.