Ekipi i të rinjve të Skënderbeut U-19 ka arritur një rezultat pozitiv në ndeshjen e parë të raundit të dytë të UEFA Youth League, duke barazuar dje 1-1 ndaj Aston Villas U-19 në stadiumin “Skënderbeu” të Korçës.
Skuadra e drejtuar nga trajneri Edmir Osmanllari zhvilloi një paraqitje shumë dinjitoze përballë një kundërshtari me emër nga Premier League, duke treguar disiplinë taktike dhe karakter gjatë gjithë takimit.
Aston Villa kaloi në avantazh në minutën e 37-të me golin e Uilson, pas një aksioni të shpejtë në krahun e djathtë. Reagimi i korçarëve erdhi menjëherë dhe vetëm tre minuta më vonë, në të 40-ën, Ensar Beqiri barazoi shifrat për 1-1, pas një kombinimi të bukur me Oppong, duke rikthyer entuziazmin në shkallët e stadiumit.
Në pjesën e dytë, të dyja skuadrat kërkuan golin e avantazhit, por pa sukses. Skëndebeu tregoi organizim të mirë në mbrojtje dhe guxim në sulm, duke arritur të mbrojë një rezultat të vlefshëm në prag të ndeshjes së kthimit.
Përballja e dytë do të zhvillohet në Angli më 5 nëntor dhe aty do të vendoset skuadra që do kalojë në raundin pasardhës të këtij kompeticioni.