Carl Bildt, ish-kryeministër i Suedisë dhe ish-dërguari special i BE-së për ish-Jugosllavinë, i cili tashmë është pjesë e Qendrës për Analizën e Politikave Evropiane (CEPA), ka dhënë një intervistë për La Repubblica, ku shprehet jo optimist për negociatat për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Ai shprehet kritik ndaj qëndrimeve të administratës së SHBA, teksa thotë se Donald Trump po mendon më shumë për biznes sesa për diplomaci. Lëvizjet e administratës së Trump po preferohen nga Moska, thotë ai, dhe kjo duket edhe te fakti që në krye të negociatorëve ka vendosur Kirill Dmitriev, këshilltari ekonomik i Vladimir Putinit. Bildt argumenton gjithashtu se Evropa nuk ka zgjedhje tjetër, përveçse të tregojë mbështetje për Ukrainën.
“Nuk ka zgjedhje tjetër: të vazhdojë t’i japë mbështetje maksimale Ukrainës, për t’i rezistuar si presionit të Moskës ashtu edhe atij të Uashingtonit. Në këtë kuptim, është absolutisht thelbësore që Evropa të zhbllokojë përdorimin e qindra miliardave të aseteve ruse të ngrira, pavarësisht rezistencave të Belgjikës.”, tha ai.
Sipas tij, nuk do të ketë përparime të vërteta në bisedime përsa kohë për sa kohë Rusia nuk ulet në tryezën e bisedimeve, dhe Trump detyron Zelenskyn të pranojë kushte të papranueshme.
Intervista e plotë për La Repubblica:
A jeni optimist lidhur me negociatat për Ukrainën që kanë rifilluar në Florida?
“Jo. Të paktën jo në afat të shkurtër”.
Pse?
“Nuk kam parë kurrë një administratë amerikane të sillet në këtë mënyrë. Kurrë. Është e qartë që Trump mendon para së gjithash për bizneset që mund të bëjë, madje edhe me Rusinë, ndërsa minimizon çështjen e sigurisë në Evropë. Trump do ta mbyllë luftën menjëherë, ndoshta për të fituar Çmimin Nobel për Paqen, dhe me çdo çmim, edhe nëse ky çmim është tepër i rëndë për Ukrainën dhe ne evropianët. E rëndësishme është që Shtetet e Bashkuara të përfitojnë sa më shumë. Nuk është rastësi që drafti i paqes me të ashtuquajturit 28 pika ishte absolutisht skandaloz, me Evropën që do të duhej të financonte rindërtimin e Ukrainës dhe Amerika që do të merrte 50% të fitimeve. Nuk kisha parë kurrë diçka të tillë nga SHBA. Kjo është një formë e re kolonializmi”.
Edhe Putini duket se e pëlqen shumë këtë qasje të SHBA-ve, apo jo?
“Sigurisht. Nuk është rastësi që kryenegociatori rus tani është Kirill Dmitriev, këshilltari suprem ekonomik i Putinit, i cili vazhdon t’u hedhë karrema amerikanëve, duke u thënë: “Po humbisni një mal me miliarda në Ukrainë. Nëse arrijmë një marrëveshje, do të fitoni shumë më tepër”. Nuk është rastësi që gjiganti amerikan i naftës Exxon është shumë i interesuar të operojë si në brigjet e ishullit Sakhalin ashtu edhe në Arktik, dhe rusët mezi presin t’i rikthejnë pasi u nevojitet teknologjia amerikane. Edhe për këtë arsye, negociatori amerikan Ëitkoff u jep kaq shumë vëmendje dhe rëndësi rusëve. Amerikanët duan të bëjnë para mbi kurrizin e Ukrainës dhe Evropës”.
Evropa çfarë mund të bëjë për t’u dëgjuar, për të dalë nga cepi dhe për të pasur peshë në këto negociata?
“Nuk ka zgjedhje tjetër: të vazhdojë t’i japë mbështetje maksimale Ukrainës, për t’i rezistuar si presionit të Moskës ashtu edhe atij të Uashingtonit. Në këtë kuptim, është absolutisht thelbësore që Evropa të zhbllokojë përdorimin e qindra miliardave të aseteve ruse të ngrira, pavarësisht rezistencave të Belgjikës. Komisioni pohon se do të paraqesë propozime të reja konkrete deri në samitin e mesit të dhjetorit. Ato do të ishin jetike, sepse amerikanët tashmë nuk i japin më asgjë Ukrainës, në krahasim me të kaluarën. Vetëm evropianët po e bëjnë këtë në pjesën dërrmuese, e pas tyre kanadezët, australianët dhe japonezët”.
Skandali i fundit i korrupsionit në Ukrainë rrezikon ta dobësojë pozicionin e Kievit dhe të Evropës?
“Nuk besoj se, sado i rëndë të jetë, do të ketë ndikim në negociatat në zhvillim. E njoh kreun e ri të negociatave, Umerov, dhe ai nuk do të largohet nga linja e Yermak, që dha dorëheqjen. Më tepër, nuk shoh mundësi për kompromis midis palëve. Ëitkoff, i sapokthyer në Moskë, do t’i japë edhe një herë mbështetje Putinit dhe pozicioneve të tij maksimaliste, gjë që presidenti rus e shfrytëzon në mënyrë të shkëlqyer kundër evropianëve. Nuk besoj se mund të ketë përparime të vërteta deri sa Moska të mos lëvizë nga pozicioni i saj për të mos ngrirë kufijtë aktualë të frontit. Por fatkeqësisht amerikanët janë me rusët edhe për këtë. Dhe pastaj kemi ngërçin tjetër: garancitë e sigurisë që duhen ofruar Ukrainës pas një marrëveshjeje të mundshme, të cilat mbeten një mister; vetë Rubio ka thënë vagullt se do të diskutohen pasi të arrihet një marrëveshje…”.
Por ju mendoni se një kompromis është i mundur?
“Sigurisht jo në afat të afërt. Rusia duhet bindur të vijë në tryezën e bisedimeve. Dhe kjo nuk mund të ndodhë kurrë nëse Trump vazhdon ta detyrojë Zelenskyn të pranojë kushte të papranueshme, por vetëm nëse Evropa – e forcuar nga Koalicioni i Vullnetarëve dhe prania e Mbretërisë së Bashkuar – vazhdon mbështetjen ekonomike dhe ushtarake për Ukrainën”.