Një sulm ukrainas ka shkaktuar shpërthime dhe pezullimin e operacioneve në një tubacion rus të produkteve të naftës në rajonin e Moskës, deklaroi të shtunën shërbimi ushtarak i inteligjencës i Ukrainës. Sulmi i së premtes shkatërroi tubacionet për transportin e benzinës, naftës dhe karburantit të avionëve të destinuara për ushtrinë ruse, bëri të ditur shërbimi ukrainas i inteligjencës ushtarake GUR në Telegram.
Ai sqaroi se operacioni special i datës 31 tetor kishte në shënjestër tubacionin në distriktin Ramenski të rajonit të Moskës. Tubacioni, i cili transportonte benzinë, naftë dhe karburant avioni, ishte një rrugë kyçe furnizimi për forcat ruse që zhvillonin operacione kundër Ukrainës, raporton Reuters, i cituar nga News.ro.
“Sistemet kundër dronëve dhe rojet e armatosura nuk mundën ta ndalonin”, tha GUR në një komunikatë. “Të tre tubacionet shpërthyen njëkohësisht, duke e bërë të gjithë linjën të papërdorshme.”
Tubacioni “Ring”, me gjatësi 400 kilometra, lidhte rafineritë në Riazan, Nizhni Novgorod dhe Moskë, dhe kishte kapacitetin të transportonte deri në 3 milionë ton karburant avioni, 2.8 milionë ton naftë dhe 1.6 milionë ton benzinë çdo vit.
Gjenerallejtënant Kirilo Budanov, shefi i GUR, deklaroi se sulmi pati një ndikim shumë më të madh se çdo sanksion ekonomik i vendosur ndaj Rusisë. “Veprimet tona të drejtpërdrejta i kanë shkaktuar Rusisë dëme shumë më të mëdha se çdo sanksion i aplikuar deri tani,” tha Budanov. “Është një e vërtetë matematikore. Sulmet tona godasin agresorin atje ku e dhemb më shumë.”
Ukraina ka përdorur gjithnjë e më shumë dronë dhe raketa me rreze të gjatë për të goditur objektiva strategjike në Rusi. Të premten në mbrëmje, sulmet goditën objekte në tre rajone, përfshirë Oriolin, ku një termocentral u sulmua, duke lënë pjesë të qytetit pa energji elektrike.
Në rajonin Vladimir, shpërtheu një zjarr në nënstacionin Vladimirskaia prej 750 kV, një pjesë kyçe e rrjetit të tensionit të lartë të Moskës. Sulmi ndërpreu rrjedhën e energjisë nga centralet bërthamore dhe termike drejt kryeqytetit rus.
Sipas *Kyiv Post*, shpërthime u raportuan gjithashtu pranë rafinerisë Slavneft-YANOS në Yaroslavl, duke detyruar autoritetet të mbyllin përkohësisht aeroportin lokal. Zyrtarët ukrainas thanë se këto sulme janë pjesë e një përpjekjeje të koordinuar për të dëmtuar logjistikën ushtarake dhe infrastrukturën energjetike të Rusisë.
Presidenti Zelensky deklaroi më herët se sulmet e Ukrainës ndaj impianteve të naftës ruse kanë ulur prodhimin e rafinimit dhe karburantit të Moskës me rreth 20–27%, duke shkaktuar mungesë karburanti dhe radhë në pikat e furnizimit. Disa rafineri janë dëmtuar, duke detyruar Rusinë të rishpërndajë prodhimin në fabrika të tjera.
Presidenti ukrainas shtoi se shumica e sulmeve – 90–95% – brenda Rusisë tani përdorin armë me rreze të gjatë të prodhuara në Ukrainë, me mbështetje të kufizuar nga raketat britanike *Storm Shadow* dhe franceze *SCALP*. Ai tha se Ukraina do të vazhdojë të godasë objektet për të dobësuar financimin e luftës së Rusisë.