Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Qeverisë për uljen e numrit të këshilltarëve komunalë, duke e cilësuar këtë veprim si antikushtetues dhe në kundërshtim me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale. BDI kërkon respektimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që ka anuluar këtë vendim, si dhe garantimin e përfaqësimit të drejtë dhe proporcional të të gjitha komunave, pa përjashtuar diasporën shqiptare. Partia thekson se veprimet e Qeverisë përbëjnë përpjekje për të deformuar përfaqësimin e shqiptarëve në mënyrë artificiale, transmeton Portalb.mk.
“Ky vendim, i dërguar Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, shkel nenin 34 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, i cili përcakton qartë se numri i këshilltarëve në çdo komunë duhet të llogaritet vetëm mbi bazën e numrit të banorëve, pa bërë dallim mes rezidentëve dhe jo-rezidentëve – standard që ka qenë gjithmonë në fuqi. Gjykata Kushtetuese, me vendimin nr. U.br. 251/2024 të datës 25 qershor 2025, ka anuluar bazën ligjore mbi të cilën u mbështet ky vendim qeveritar, duke theksuar qartë se qytetarët jo-rezidentë nuk mund të përjashtohen dhe se çdo përpjekje për ta bërë këtë është në kundërshtim me Kushtetutën dhe të drejtën për përfaqësim të barabartë. Edhe përpjekja e fundit për të miratuar një ligj të ri për vetëqeverisje lokale, që do ta legjitimonte këtë vendim, dështoi për shkak të mungesës së shumicës së dyfishtë, duke lënë plotësisht në fuqi ligjin ekzistues. Megjithatë, Qeveria ka vepruar në kundërshtim të hapur me ligjin dhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, vetëm e vetëm që mos ti trajtoj shqiptarët 29,5% ashtu siç dolën në regjistrimin e popullsisë, por 24,3% siç tentojnë artificialisht ti paraqesin”, thotë Arbër Ademi nga BDI.
Bashkimi Demokratik për Integrim kërkon:
• Respektim të plotë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese;
• Garantim të përfaqësimit të drejtë dhe proporcional të të gjitha komunave, bazuar në të dhëna të sakta demografike;
• Që Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve të marrë vendime mbi bazën e Kushtetutës dhe ligjit, duke shmangur çdo ndikim politik;
• Sigurimin e zgjedhjeve të lira, demokratike dhe të pranueshme për të gjitha palët;
• Zbatim të nenit 50 të Kushtetutës, që garanton mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të qytetarëve;
• Respektim të nenit 51 të Kushtetutës, sipas të cilit ligjet duhet të jenë në përputhje me Kushtetutën, ndërsa të gjitha aktet e tjera me Kushtetutën dhe me ligjin – dhe çdokush është i detyruar t’i respektojë Kushtetutën dhe ligjet.
BDI thekson se tërheqja dhe korrigjimi i këtij vendimi është i domosdoshëm për të ruajtur legjitimitetin e zgjedhjeve të ardhshme lokale dhe për të mos lejuar përjashtimin e diasporës shqiptare nga proceset vendimmarrëse.
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve më 19 gusht nuk miratoi udhëzimet për plotësimin e formularit për listat e kandidatëve për anëtarë të këshillave komunale dhe Qytetit të Shkupit, pasi anëtarja e KSHZ-së, Ditmire Shehu, kërkoi që vendimi të miratohet me konsensus, unanimisht, duke iu referuar dispozitave të Kodit Zgjedhor të cilat, siç tha, parashikojnë që një anëtar i Komisionit mund të kërkojë votim të tillë nëse vendimi ka të bëjë me komunitetet jo-shumicë.
Për Ditmire Shehun, është kontraverse të miratohen udhëzime të tilla bazuar në një vendim ekzistues të Qeverisë, i cili, siç theksoi ajo, uli numrin e këshilltarëve bazuar në regjistrimin e popullsisë që ndan popullsinë në rezident dhe jo-rezident. Sipas saj, numri i këshilltarëve në komuna dhe Qytetin e Shkupit përcaktohet në përputhje me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, dhe jo në përputhje me një vendim të Qeverisë.
Duke pasur parasysh kërkesën e Shehut, shërbimi ligjor i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve do të duhet të lëshojë një deklaratë për këtë çështje brenda një periudhe të caktuar kohore.
Kryetari i KSHZ-së, Boris Kondarko, paraprakisht vuri në dukje se një udhëzim i tillë për zgjedhjet lokale të vitit 2021 u miratua bazuar në një vendim qeveritar të vitit 2004 për numrin e këshilltarëve në komuna dhe Qytetin e Shkupit.
Megjithatë, ai e vuri udhëzimin në votim, pas të cilit u përcaktua se pesë anëtarë ishin pro dhe dy kundër, që do të thotë se udhëzimi nuk mund të miratohej me konsensus, pra unanimisht.
“Duke zbatuar dispozitat e Nenit 31 të Kodit Zgjedhor, pika 34d, të cilit iu referua kolegia ime Ditmire Shehu, i cili thotë se kur një projektvendim i KSHZ-së ka të bëjë me interesat e komunitetit jo-shumicë, para se të hidhet vendimi në votim, çdo anëtar i KSHZ-së që i përket komunitetit jo-shumicë ka të drejtë të kërkojë që KSHZ-ja të vendosë që një vendim i tillë të miratohet me konsensus. Në përputhje me pikën 34 d të nenit 31 të IZ, siç është propozuar nga kolegia ime, po i vë udhëzimet në votim si Projekt-Udhëzim për Plotësimin e Formularit për Listat e Kandidatëve për Anëtarë të Këshillave Komunale dhe Qytetit të Shkupit”, tha Kondarko dhe arriti në përfundimin se pesë anëtarë të KSHZ-së janë pro dhe dy janë kundër.
Në përputhje me këtë dhe dispozitën e cituar ligjore, siç theksoi, ai arriti në përfundimin se votimi për këtë vendim tregoi se nuk kishte konsensus dhe ai nuk u miratua.
“Në përputhje me diskutimin dhe propozimin e Shehut, KSHZ-ja, me kërkesën e saj, mund të veprojë në përputhje me pikat 34 e dhe 34 f, gjegjësisht kolegia ime ka të drejtë t’i drejtohet me shkrim shërbimit juridik, i cili do ta shqyrtojë këtë çështje dhe është i detyruar të japë një mendim me shkrim brenda një afati të përshtatshëm”, tha Kondarko, duke shtuar se komisioni do të kthehet në këtë pikë të kësaj seance pas përfundimit të asaj procedure.
Kujtojmë se kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi më 9 gusht i shpalli zgjedhjet lokale. Raundi i parë i votimit për kryetarë të komunave do të mbahet më 19 tetor, kur do të votohet edhe për lista të këshilltarëve. Raund të dytë për kryetarë të komunave do të ketë më 2 nëntor.