Ushtria amerikane ka sulmuar një anije që dyshohej se po transportonte droge në ujërat ndërkombëtare në Karaibe, duke vrarë tre persona. Lajmin e ka bërë të ditur Sekretari i Luftës, Pete Hegseth.
Hegseth shkroi në një postim në rrjetin social X se anija drejtohej nga një “organizatë e shpallur terroriste”, por nuk dha prova të tjera për këtë pretendim. Postimi i tij përfshinte një video 20-sekondëshe, e klasifikuar si “jo konfidenciale”, që tregon një anije teksa goditet dhe shpërthen.
Presidenti Donald Trump prej javësh ka përsëritur se Shtetet e Bashkuara janë në “konflikt të armatosur” me kartelët e drogës, duke argumentuar se këto anije drejtohen nga organizata terroriste të huaja.
Ky veprim ushtarak është i fundit në një seri prej më shumë se një duzine sulmesh të SHBA-së ndaj anijeve që lundrojnë pranë brigjeve të Venezuelës dhe në Oqeanin Paqësor lindor.
Deri më tani, Trump ka dislokuar gjashtë anije luftarake të Marinës amerikane në Karaibe, ka dërguar avionë luftarakë F-35 në Porto Riko dhe ka urdhëruar grupin e goditjes së aeroplanmbajtëses USS Gerald R. Ford të arrijë në rajon. Presidenti venezuelas Nicolás Maduro ka akuzuar në mënyrë të përsëritur Shtetet e Bashkuara se po përpiqen ta rrëzojnë nga pushteti, ndërsa familjet e viktimave të sulmeve kanë deklaruar se shumë prej personave të vrarë në këto bombardime ishin civilë, kryesisht peshkatarë.
Sulmi më i fundit u njoftua pak pas vendimit të Senatit amerikan për të rrëzuar një rezolutë që i ndalon Trumpit të ndërmarrë sulme ndaj Venezuelës pa autorizimin e Kongresit.