Kriza e çmimeve dhe rritja çdo herë e më madhe e inflacionit ka prodhuar edhe të dielen përplasje politike në Kosovë, ku opozita akuzon qeverinë për pasivitet, ndërsa pushteti flet për stabilitet të menaxhueshëm.
Rritja e çmimit të naftës, e lidhur me luftën mes Shteteve të Bashkuara, Izraelit dhe Iranit, ka goditur drejtpërdrejt një ekonominë e Kosovës të varur rëndë nga importi.
Në shkurt 2026, inflacioni arriti në 6 për qind, ndërsa çmimet e energjisë dhe produkteve bazë vijojnë rritjen.
Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, akuzoi qeverinë për mungesë reagimi të menjëhershëm.
“Kosova po fle”, deklaroi ai, duke shtuar se institucionet nuk po marrin masa për të “përballuar krizën e rëndë ekonomike dhe rritjen e çmimeve”.
Tahiri krahasoi situatën me vendet e rajonit dhe Bashkimin Evropian, duke kërkuar veprim urgjent.
“Rajoni vepron, Evropa ndërhyn, Kosova pse po fle? Qeveria e Kosova duhet urgjentisht… të marrë masa konkrete”, shkroi ai.
Ai përmendi ndërhyrjet në Maqedoninë e Veriut, Shqipëri dhe Spanjë, duke theksuar mungesën e një pakete të ngjashme në Kosovë.
Në të njëjtën linjë, deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, paralajmëroi për efektin zinxhir të rritjes së naftës në ekonomi.
“Çmimi i naftës ndikon drejtpërdrejt në të gjitha produktet që importojmë”, tha Bajrami.
Ajo kërkoi reagim institucional të menjëhershëm dhe masa fiskale për të lehtësuar barrën mbi qytetarët.
“Një qeveri e përgjegjshme do të mblidhej urgjentisht për të ndërmarrë masa konkrete”, deklaroi ajo.
Sipas saj, ulja e TVSH-së në karburante nga 18% në 8% dhe përgjysmimi i akcizës do të ishin hapa të domosdoshëm.
Bajrami kritikoi edhe mungesën e konsultimeve me sektorin privat.
“Qeveria është dashur të ketë takime me odat ekonomike dhe Shoqatën e Naftarëve”, theksoi ajo.
Në një reagim më të ashpër politik, ajo e lidhi mungesën e veprimit me interesat zgjedhore.
“Strategjia e Kurtit është ‘varfëro e sundo’”, shkroi Bajrami, duke akuzuar për përfitime buxhetore nga kriza.
Deputeti tjetër i LDK-së, Ermal Sadiku, e zhvendosi fokusin nga ekonomia te komunikimi politik i qeverisë.
“Nafta rritet. Ushqimet bazë shtrenjtohen. Projekte të reja nuk ka…”, shkroi ai.
Sipas Sadikut, qeveria po devijon vëmendjen publike përmes narrativave të tjera politike.
“Përgjigjja është e thjeshtë: për të devijuar vëmendjen nga dështimet reale të qeverisjes”, deklaroi ai.
Në anën tjetër, qeveria insiston se situata mbetet nën kontroll, pavarësisht presioneve të jashtme.
Ministrja e Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, ditë më parë tha se tregu i naftës pritet të stabilizohet gjatë verës.
Ajo theksoi se rezervat janë të qëndrueshme dhe nuk ka arsye për panik.
“Situata është stabile”, deklaroi ajo, duke shtuar se gjendja është “e menaxhueshme dhe larg situatës së panikut”.
Qeveria ka vendosur masa për kufizimin e fitimeve në tregtinë e derivateve, në përpjekje për të kontrolluar çmimet.
“Ne do ta bëjmë maksimumin edhe jemi duke e bërë të përcjellim që nuk ka, të them, fluktim jashtë normales. Gjegjësisht masa e vendosur ka të bëjë me mbajtjen nën kontroll, por kontrolli brenda kësaj hapësire e cila po tregohet se po lëviz çmimi, por jo mbi të paimagjinueshmen ose në masë ku mund të ketë ndikim tepër serioz për të keq.
Po e them që, sipas të gjitha informacioneve, mund të shkojë edhe në një periudhë kohore deri në një stabilitet. Këtu ne nuk jemi aktorë, ne jemi konsumues të rrethanave që po ndodhin atje. Por, po shpresojmë që sa më parë të ketë një stabilitet. Parashihet në muajt në vijim, në veçanti në periudhën e verës, që do të ketë një stabilitet të çmimit”, tha ajo