Presidentja Vjosa Osmani, në letrën që i ka kthyer Kryesuesit të seancës, Avni Deharit, lidhur me situatën e krijuar dje në Kuvend, ka shprehur gatishmërinë edhe që ta takojë atë dhe kryetarët e partive.
Në fund të letrës, Osmani ka thënë se mund t’i takojë ata për ta diskutuar rrugën përpara, nëse veç një gjë e tillë konsiderohet e nevojshme, shkruan Reporteri.net.
“Në përmbyllje të kësaj letre, si Presidente e vendit dhe Kreu i Shtetit, në kuadër të kompetencave kushtetuese përkitazi me nenin 4, paragrafi 3 dhe nenin 84, paragrafi 2 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, shpreh gatishmërinë time që t’ju mirëpres juve dhe kryetarët e partive politike parlamentare për ta diskutuar rrugën përpara, në rast se një gjë e tillë konsiderohet e nevojshme”, ka thënë Osmani në këtë letër, duke u thirrur në kompetencat e saj kushtetuese.
Presidentja Osmani i kthen përgjigje Deharit: Kushtetuta ju detyron të jetësoni e jo të bllokoni procese, mblidhuni nesër
Grenelli reagon ashpër ndaj një shkrimi të REL për Thaçin dhe Specialen: Po paguajmë për drejtësi dhe raportime të rrejshme
Në këtë letër, Osmani ka kërkuar që Kuvendi të mblidhet nesër.
“Rrjedhimisht, gjithashtu ju rikujtoj se fryma e Kushtetutës, praktika gjyqësore e Gjykatës Kushtetuese dhe Rregullorja e Kuvendit të Kosovës, ju obligon që seancën konstituive ta vazhdoni jo më vonë se brenda dyzet e tetë (48) orëve nga ndërprerja e saj. Andaj, ju ftoj që në përputhje me autorizimet tuaja si Kryesues i seancës konstituive të Legjislaturës së Nëntë të Kuvendit, efektive që nga data 8 prill 2025, ta realizoni seancën konstituive në përputhje me parimet kushtetuese të përmendura më lart, Rregulloren e Kuvendit si dhe legjislacionin në fuqi.”, thuhet në letër.
Seanca konstituive e Kuvendit ka dështuar dje, pasi raporti i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve nuk mori votat e mjaftueshme të deputetëve.
Në këtë seancë duhej që deputetët, pas miratimit të raportit, të bënin betimin dhe të zgjidhinin kryetarin dhe nënkryetarët.