Gazetari i njohur, Artur Zheji, ka ndërruar jetë pasditen e sotme, në moshën 64-vjeçare.
Sipas njoftimit të uniformave blu, rreth orës 16:10, ambulanca e Spitalit Rajonal të Sarandës, e ka marrë gazetarin nga rruga Butrinti, në afërsi të restorantit Layos, pasi ka shfaqur probleme me shëndetin.
Publicisti i mirënjohur ndërroi jetë përgjatë transportit në spital.
“Rreth orës 16:10 ambulanca e Spitalit Rajonal Sarandë ka marr në afërsi të Restaurant Layos në rrugën Butrinti shtetasin Artur Petro Zheji i datëlindjes 26.09.1961 banues në Tiranë,i cili kishte probleme të shëndetit,diabetik.Ky shtetas ka ndrruar jetë gjatë transportit me Ambulancë.”, njofton policia.
Kush ishte Artur Zheji?
I lindur më 29 gusht 1961, Artur Zheji njihet për publikun shqiptar si gazetar, publicist, por dhe drejtues i një emisioni shqiptar.
Ai ka qenë i angazhuar për dekada në fushën e gazetarisë në vendin tonë. Veprimtaria e tij konsistonte analiza politike, shkrime editoriale të ndryshme si dhe drejtimin e programeve televizive.
Artur Zheji u diplomua për regjisor në Institutin e Lartë të Arteve, ku spikati dhe la gjurmën e tij në dramaturgjinë shqiptare. Në skenën e Teatrit Kombëtar, u vendos në skenë drama e tij “Raimonda”, përgjatë kohës që diplomohei.
Pas diplomimit, Zheji u zhvendos në Itali ku qëndroi për rreth 10 vite. Aty, ai punoi në “Radio Radicale” si specialist i çështjeve të Evropës dhe Ballkanit, përgjatë kohës së luftës së Kosovës, duke u bërë kështu dhe një zë i rëndësishëm i shqiptarëve në arenën ndërkombëtare.
Që prej vitit 2017, ai ishte drejtues i emisionit politik dhe analitik 360 Gradë. /tvklan.al