Industria e turizmit në Shqipëri është rritur ndjeshëm vitet e fundit. Numrin më të madh turistik e e ka pasur Tirana.
Kryebashkiaku Erion Veliaj, përmes një postimi në rrjete sociale shkruan se ky bum turistik vjen si rezultat i investimeve transformuese në kryeqytet. Ai thekson se mbi 10 milionë turistë vizitojnë sot kryeqytetin, ndryshe nga viti 2015, kur Tirana kishte pak për t’u ofruar vizitorëve.
Postimi i plotë
Nuk ka ditë që sheshi “Skënderbej”, Pazari i Ri, Piramida, apo Kalaja e Tiranës të mos gëlojnë nga turistët e shumtë.
Kjo më mbush me krenari, sidomos kur mendoj se në 2015-ën edhe një grusht turistësh që vinin në Tiranë nuk kishin se çfarë të bënin apo të vizitonin. Sot ka ndryshuar kaq shumë e për ta vërtetuar këtë mjafton të shikoni se si hotelet janë plot, restorantet kanë më shumë punë e se si për qytetin prodhohet më shumë ekonomi.
Asnjë nga këto nuk do të kishte ndodhur nëse nuk do të kishim një vizion të qartë investimesh në Tiranë, të cilat sollën transformimin e sotëm për qytetarët, por edhe mbi 10 milionë turistë, që tani kanë se çfarë të rrëfejnë për Tiranën dhe Shqipërinë kur kthehen në vendin e tyre.