Në një vend të Evropës, njerëzit jetojnë më gjatë se kudo tjetër në kontinent. Këtu, mbi 23.000 persona kanë kaluar moshën 100 vjeç, dhe 80% janë gra. Studiuesit ia atribuojnë fenomenin ushqyerjes, ritmit të jetës dhe kohezionit social, raporton The Guardian.
Italia regjistron një numër rekord të personave që kanë kaluar moshën 100 vjeç, sipas të dhënave më të fundit të institutit kombëtar të statistikave. Numri i italianëve që arrijnë moshën 100 vjeç po rritet me ritëm të përshpejtuar, mbi 2.000 njerëz duke arritur këtë prag në 2025, shumica gra. Në total, Italia ka tani 23.548 banorë me moshë 100 vjeç ose më shumë, krahasuar me 21.211 në 2024, sipas të dhënave më të fundit të publikuara nga Istat, instituti kombëtar i statistikave. Italia ka më shumë se dyfishin e centenarëve krahasuar me 2009, theksoi Istat.
Nga ata që kanë arritur moshën 100 vjeç këtë vit, 82,6% janë gra. Gratë dominojnë edhe në radhët e 724 semi-supercentenarëve, persona me moshë 105 vjeç ose më shumë, dhe mes 19 supercentenarëve, pra persona që kanë kaluar 110 vjeç. Lucia Laura Sangenito, nga rajoni Campania, do të festojë 115-vjetorin e saj më 22 nëntor, duke qenë gruaja më e vjetër në Itali dhe e treta në Evropë, pas britanikes Ethel Caterham, 116 vjeç, dhe frënges Marie-Rose Tessier, e cila mbushi 115 vjeç në maj. Emma Morano, nga rajoni verior Piemonte, ishte personi më i vjetër në botë për 11 muaj, deri në vdekjen e saj në 2017, në moshën 117 vjeç. Burri më i vjetër italian, Vitantonio Lovallo, mbushi 111 vjeç të premten.
Gjithnjë e më shumë centenarë në Bashkimin Evropian
Popullsia centenare po rritet me shpejtësi në të gjitha vendet e Bashkimit Evropian: pritet që numri i personave 100 vjeç ose më shumë të arrijë në gati gjysmë milioni deri në 2050, krahasuar me 96.600 në 2019. Franca, Italia dhe Greqia kanë raportin më të lartë të centenarëve në raport me popullsinë. Në Mbretërinë e Bashkuar, numri i personave 100 vjeç e lart është dyfishuar, nga 8.300 në 2004 në 16.600 në 2024, sipas të dhënave të publikuara në tetor.
Në Itali, rajoni Molise zë vendin e parë për sa i përket peshës së centenarëve, i ndjekur nga Valle d’Aosta dhe Liguria, sipas Istat. Sardenja dallohet gjithashtu për një përqendrim të lartë të centenarëve, disa fshatra në ishull u identifikuan në 2004 si disa nga shtatë “zonat blu” në botë – vende ku proporcioni i personave me jetëgjatësi të jashtëzakonshme është jashtëzakonisht i lartë. Perdasdefogu, një qytet i vendosur në malet e ashpra të juglindjes së Sardenjës, i arritshëm vetëm përmes një rruge të ngushtë dhe me kthesa, ka hyrë dy herë në Librin e Rekordeve për centenarët. Herën e parë në 2012, kur nëntë vëllezërit e familjes Melis arrinin në total moshën 818 vjeç. Në 2021, qyteti arriti rekordin e dytë, duke pasur përqendrimin më të lartë të centenarëve në botë: tetë persona mbi 100 vjeç në një popullsi prej vetëm 1.778 banorësh.
Sekreti i jetëgjatësisë së italianëve
Dieta mesdhetare konsiderohet prej kohësh ingredienti kryesor i jetëgjatësisë së italianëve, së bashku me lidhjet sociale të forta dhe një sistem shëndetësor përgjithësisht i vlerësuar. Centenarët italianë janë, për më tepër, jashtëzakonisht aktivë. Anna Possi, e cila do të mbushë 101 vjeç më 16 nëntor, ende punon në barin e saj në një qytet në bregun e Liqenit Maggiore, çka e bën atë baristen më të vjetër në Itali. Ajo deklaroi në një intervistë vitin e kaluar për The Guardian se do të “vazhdojë për aq kohë sa shëndeti ia lejon”. Në 2022, Candida Uderzo rinovoi patentën e saj të drejtimit në moshën 100 vjeç. Ajo është një nga të paktën katër persona që kanë marrë patenta në 100 vjeç ose më shumë, duke përfshirë Luciano Gulmini, të cilit patentë i është rinovuar në 2024, menjëherë pasi mbushi 100 vjeç.
Edhe pse centenarët e Italisë festohen, plakja e popullsisë ngre probleme serioze për qeverinë, sidomos në kushtet kur fenomeni shoqërohet me një normë lindjesh në rënie të lirë, çka ushtron presion mbi sistemet e pensioneve dhe shëndetësisë. Në 2024, u regjistruan vetëm 370.000 lindje, numri më i ulët që nga bashkimi i vendit në 1861.
Vendi në BE ku gratë janë kampione të jetëgjatësisë, dhe mbi 23.000 njerëz kanë kaluar 100 vjet
16