Zëvendësuesi i Holta Zaçajt si anëtare e kësaj gjykate, do të zgjidhet mes anëtarit aktual të Gjykatës së Lartë Asim Vokshi, ish-kryetares së KLGJ Naureda Llagamit dhe ish-komisionerit publik në procesin e vettingut, Florian Ballhysa.
Këta tre emra kanë marrë më shumë pikë nga 6 kandidatët që mbetën në garë. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi publikoi pak ditë më parë pikëzimin për këto 6 kandidatë dhe tre të parët ishin: Asim Vokshi me 89.5 pikë, Naureda Llagami me pak diferencë pas tij me 89.3 pikë dhe Florian Ballhysa me 77.83 pikë.
Pas tyre, renditeshin kandidatët Alma Faskaj, Genta Tafa dhe Alban Toro, që të paktën për këtë procedurë emërimi digjen. Anëtari i zgjedhur do të zëvendësojë vetëm mandatin e Zaçajt si anëtare e Gjykatës Kushtetuese, ndërsa procedurat për zgjedhjen e kryetarit të ri të Gjykatës do të nisin menjëherë më pas.
Gjykata e Lartë është institucioni i emërtesës. Aktualisht janë 17 gjyqtarë të lartë, dhe që mbledhja e emërimit të anëtarit të Gjykatës Kushtetuese të jetë e ligjshme duhet të marrin pjesë jo më pak se tre të katërtat e tyre, pra 13 anëtarë.
Kandidati që merr tri të pestat e votave të gjyqtarëve të pranishëm shpallet i zgjedhur. Nëse nuk arrihet shumica e nevojshme, kandidati i renditur i pari nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, pra Asim Vokshi, konsiderohet i zgjedhur.
TRE NGA 6 KANDIDATËT MË TË PIKËZUAR NGA KED:
1) Asim Vokshi 89.5 pikë
2) Naureda Llagami 89.3 pikë
3) Florian Ballhysa 77.83 pikë