Zjarri në disa fshatra të bashkisë së Himarës, në Sasaj, Lukovë dhe Shën Vasil janë vendosur në kontroll pas ndërhyrjes së helikopterit. Aktualisht raportohet për 3 vatra aktive të vogla.
Zjarrfikësit kanë punuar gjatë gjithë natës në këto zona për të shuar flakët, të cilat favorizoheshin nga era dhe rrezikonte të zbrisnin drejt zonave të banuara.
50 banorët e fshatit Sasaj që u evakuuan mbrëmjen e djeshme kanë qëndruar në qendër të fshatit pasi flakët janë afruar banesave të tyre. Ndërkohë që zjarri i ardhur nga zona që lidh fshatrat e Delvinës me ato të Himarës ka bërë që , Lukova, Shën Vasil të kenë rrezikshmëri.
Forca të shumta të zjarrfikësve, Policia, FNSH, emergjencat civile kanë më shume se 60 orë që po qëndrojmë në terren pasi zjarri rikativizohet sa herë nis era.
Zjarri vijon edhe në Parkun Kombëtar të Prespës, ndërsa 150 forca janë në terren dhe po punojnë për shuarjen e flakëve.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile njoftoi sot se gjatë 24 orëve të fundit ka pasur 34 vatra zjarri në vend, nga të cilat 17 janë ende aktive dhe punohet me rreth 1 mijë forca, 4 helikopterë dhe një avion Canadair italian nga toka dhe ajri. 11 u shuan dhe 6 mbahen nën monitorim.
Gjithashtu raportohet për rrezik të lartë në disa zona, teksa sot priten reshje mesatare në Shkodër dhe të dobëta në pjesët e tjera të vendit.
Zjarri në Lukovë shkrumbon sipërfaqe pyjore
Këto janë pamjet e kapura me dronin ‘Bayraktar’ në zonën e Lukovës.
Siç shihet edhe nga videot vatra e zjarrit vijon të jetë ende aktive duke djegur sipërfaqe pyjore.
Ditët e fundit Zjarret duket se kanë ‘pushtuar’ Shqipërinë, por Emergjencat dhe Ministria e Mbrojtjes vijojnë punën e tyre për neutralizimin e flakëve.
Zjarret në Dibër, 4 vatra ende aktive! Problematike situata në Parkun Kombëtar të Lurës dhe Zall-Gjoçaj
Në qarkun e Dibrës raportohen aktualisht 4 vatra zjarri aktive.
Më problematikja mbetet ajo në Parkun Kombëtar Lurë, nga ana lindore ‘Gurë-Lurë’ dhe është afruar në distancë të konsiderueshme fshatit Sinë, të Njësisë Administrative Arras.
Vatra e dytë e zjarrit në Zall-Gjoçaj është problematike me zhvillime në dy vatra, njëra nga Mas-Deja dhe vatra tjetër nga Qafa-Tolla edhe në Bulqizë, që vazhdon të jetë aktive, sikurse vatra e zjarrit në ‘Majën e Lepurit’, ku ndodhen dhe antenat e kompanive celulare.
Bilanci i zjarreve në 24 orët e fundit, 34 vatra në të gjithë vendin, 17 janë ende aktive! Sot priten dhe reshje
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile bëri publik sot (28 korrik) bilancin e 24 orëve të fundit nga situata e zjarreve në Shqipëri.
Janë evidentuar 34 vatra zjarri nga të cilat 17 janë ende aktive, 6 janë nën monitorim dhe 11 janë shuar.
“Sipas IGJEO-s, sot priten reshje të dobëta deri lokalisht mesatare në qarkun e Shkodrës dhe të dobëta në shumicën e qarqeve të vendit. Sa u përket zjarreve, sot pritet nivel rrezik “I LARTË” në qarqet Durrës, Tiranë, Elbasan, Fier, Berat, Korçë, Vlorë dhe Gjirokastër, ndërsa në qarqet Shkodër, Kukës, Dibër dhe Lezhë pritet nivel rrezik “I MODERUAR””, thuhet në njoftimin zyrtar për ecurinë në lidhje me rreziqet dhe parashikimin e motit.
Zonat më problematike nga zjarret mbeten qarqet Dibër, Korçë dhe Vlorë.
Njoftimi i plotë i Agjencisë së Mbrojtjes Civile:
“Vatrat aktive janë regjistruar në zonat e mëposhtme, ku puna në terren vijon pa ndërprerje për izolimin dhe kontrollin e flakëve:
– Në Parkun Kombëtar të Lurës, i zhvilluar në dy vatra të mëdha në drejtim të Fushës së Pelave, ku nuk rrezikon banesa, dhe në kahun lindor të Gurë-Lurës, ku ka pasur shtrirjen më të madhe, duke kaluar Fushën e Pllajës dhe mbi fshatin Sinë të njësisë administrative Arras. Në terren janë angazhuar mbi 54 forca të strukturave operacionale.
– Në fshatin Zall Gjoçaj, bashkia Mat, vijon puna për shuarjen e zjarrit me një shtrirje mbi 14 km, me zhvillime në tre kahe, nga Mas Deja ku përfshin sipërfaqe të konsiderueshme në pyje, në vendin e quajtur Qafa e Tollës , si dhe në vendin e quajtur Fushë Kuqe. Në terren u angazhuan 54 forca dhe sot pritet të shkojnë dhe 30 efektive të FA dhe 15 forca vendore.
– Në Qafë Buall, bashkia Bulqizë, vazhdon aktive vija e zjarrit nga Rruga e Arbrit me drejtim nga Maja e Lepurit. Operacioni me ndërhyrje nga ajri ka penguar konsiderueshëm zhvillimin e vatrës. Vazhdon aktive vatra në Malin e Allushit, në Plan të Bardhë, Bashkia Klos që paraqet vështirësi për vënien nën kontroll, megjithë dislokimin në terren afro 130 forcave nga të gjitha strukturat dhe Helikopterit të Forcës Ajrore.
– Në fshatin Kalas, bashkia Delvinë, ku si rezultat i erës së fortë, zjarri kaloi nga ana e Himarës dhe zbriti drejt një lagjeje të fshatit, por pa paraqitur rrezik për banesa, ndërsa u bë i mundur edhe evakuimi i banorëve. Në vendngjarje, u angazhuan rreth 75 forca nga strukturat operacionale. Gjithashtu në zonë operoi dhe një Helikopter i Forcës Ajrore.
– Në fshatin Markat, Bashkia Konispol zjarri u përhap ditën e djeshme drejt fshatit Shalës. Pas angazhimit të forcave të struktura operacionale dhe FA, sot vatra e zjarrit paraqitet e izoluar.
– Në fshatrat Piqeras dhe Sasaj, bashkia Himarë vatrat janë kthyer problematike gjatë orëve të natës, ku rrezikoheshin banesat dhe u bë i mundur evakuimi i banorëve. Në terren u angazhuan 9 mjete zjarrfikëse, një ambulancë, helikopterët e FA dhe avioni canadair italian i mundësuar nga Mekanizmi Europian i Mbrojtjes Civile, duke e neutralizuar situatën atje.
– Në fshatin Fang, njësia administrative Rubik, është e pamundur ndërhyrja për shkak të pjerrësisë së madhe të shpatit të malit, të veshur me dëllinja, që favorizojnë zjarrin. Në fshatin Kulme, njësia administrative Rrëshen, situata është më e qëndrueshme dhe po mbahet nën kontroll, pas angazhimit të afro 85 forcave nga strukturat operacionale. Situata paraqitet nën kontroll.
– Në fshatin Dishnicë, bashkia Korçë, vazhdon aktiv zjarri ndërmjet fshatrave Dishnicë dhe Barç në bimësi të ulët dhe pa rrezik për zonat e banuara.
– Në Parkun Kombëtar të Prespës, fshati Lajthizë, Bashkia Pustec, për fikjen e zjarrit që vijon me intensitet të ulët, janë angazhuar rreth 100 forca nga strukturat operacionale.
– Në fshatin Fushëbardhë dhe pranë tunelit të Skërficës, bashkia Gjirokastër, vatra ndodhet në lartësi të madhe dhe i paaksesueshëm nga forcat dhe mjetet. Pjesa me e madhe e rreth 60 forcave operacionale punuan për izolimin e zjarrit për të mos lejuar kalimin në zonën e mbrojtur në pyllin e Zhulatit.
– Në fshatin Dragobi, brenda Parkut Kombëtar të Alpeve të Shqipërisë, ka vijuar puna për shuarjen e zjarrit të rënë në një sipërfaqe pyjore. Terreni është shkëmbor dhe me dru halorë, duke e bërë të pamundur ndërhyrjen nga toka.
– Në Malin e Shkëlzenit, Bashkia Tropojë, vatra e zjarrit ndodhet në një terren të vështirë, zonë kullotash duke bërë të pamundur ndërhyrja në këmbë.
– Në vendin e quajtur “Fusha e Staneve”, në Shëngjergj, Bashkia Tiranë, zjarri është përhapur në kullota dhe në sipërfaqe pyjore. Vijon puna me intensitet të shtuar për nga strukturat operacionale. Situata është nën kontroll dhe nuk paraqit rrezik për banesat.
– Në fshatin Ibë, bashkia Tiranë, aktualisht janë aktive 3 vatra zjarri, nën kontroll dhe me rrezik të ulët. Zjarri është shuar në rreth 90%, po punohet nga efektivët e MZSH Tiranë dhe forca pyjore. Helikopteri i Forcës Ajrore ka ndërhyrë në një sipërfaqe me shkurre të dendura. Situata është nën kontroll dhe nuk paraqit rrezik për banesat.
– Në fshatin Kuç, bashkia Vorë ka mbërritur zjarri i ardhur nga bashkia Shijak (fshati Shetel, Në krahun e bashkisë Shijak, ku janë angazhuar rreth 30 forca zjarri është shuar. Në krahun e bashkisë Vorë, zjarri vijon aktiv. Në vendngjarje janë 60 forca nga strukturat operacionale. Terreni është i vështirë, por rreziku nga banesat u evitua falë ndërhyrjes së helikopterit Cougar të Forcës Ajrore.
– Në Bjeshkën e Rahovicës, bashkia Malësi e Madhe, pranë kufirit me Malin e Zi, vijon të mbetet aktive vatra e zjarrit e rënë në një sipërfaqe me pyje. Terreni i thyer e bënë të vështirë ndërhyrjen, dhe zjarri ka marrë përmasa.
Janë nën monitorim vatrat si më poshtë: Livadhet e Peladhisë, bashka Bulqizë; Në vendin e quajtur Shashicë, bashkia Vlorë; Në vendin e quajtur pyjet e Gurakuqit, bashkia Librazhd; në zonën pas malit të Lisecit, bashkia Gramsh; Në fshatin Strelcë, bashkia Maliq; në fshatin Konisbaltë, bashkia Dimal.
Forcat e angazhuara në operacionet për shuarjen e zjarreve :
– 56 automjete zjarrfikëse
– 953 forca operacionale.
– 5 Helikopterë nga Forcat e Armatosura (operuan në disa zona) dhe 1 helikopter Canadair Italian, i ofruar nëpërmjet Mekanizimit të Mbrojtjes Civile Evropiane,
Sipas IGJEO-s, sot priten reshje të dobëta deri lokalisht mesatare në qarkun e Shkodrës dhe të dobëta në shumicën e qarqeve të vendit. Sa u përket zjarreve, sot pritet nivel rrezik “I LARTË” në qarqet Durrës, Tiranë, Elbasan, Fier, Berat, Korçë, Vlorë dhe Gjirokastër, ndërsa në qarqet Shkodër, Kukës, Dibër dhe Lezhë pritet nivel rrezik “I MODERUAR”.
Autoritet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal, të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr dhe të raportojnë menjëherë pranë strukturave përkatëse për çdo vatër të dyshimtë”.
PAMJET me dronin Bayraktar/ Rreth 1 mijë forca, 4 helikopterë dhe 1 avion nga toka e ajri! Ministri Vengu: Operacione në 15 zona dhe vatra
Zjarret duket se kanë gjunjëzuar Shqipërinë ditët e fundit, por Emergjencat dhe Mnistria e Mbrojtjes nuk janë dorëzuar duke punuar me forca dhe mjete të shtuara në terren dhe nga ajri për shuarjen e tyre.
Numri i tyre aktualisht ka shkuar në rreth 1 mijë dhe në gatishmëri të plotë në të gjitha vatrat aktive dhe të rrezikshme. Janë edhe 56 mjete e 4 helikopterë dhe një avion Canadair italian.
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ndau edhe informacionet e fundit nga aksionet, ku po operohet në 15 zona problematike.
Ai ndau edhe pamjet e operacionit të helikopterëve, të marra me dronin Bayraktar, teksa mbushin ujë për shuarjen e flakëve.
“Forcat e Armatosura, strukturat e AKMC dhe të emergjencave civile vendore vijojnë të jenë në terren dhe në operacione nga ajri për përballimin e vatrave aktive. Të angazhuar sot me 953 forca, 56 mjete zjarrfikëse, 4 helikopterë dhe në mbështetje një avion Canadair italian”.
Postimi i ministrit Vengu
Operacionet po zhvillohen në këto zona:
-Parku Kombëtar i Lurës – Dibër
-Zall Gjoçaj – Mat
-Qafë Buall – Bulqizë / Plan i Bardhë – Klos
-Kalasë – Delvinë
-Markat – Konispol
-Piqeras & Sasaj – Himarë
-Fang & Kulme – Rrëshen
-Dishnicë – Korçë
-Parku i Prespës – Pustec
-Fushëbardhë & Skërficë – Gjirokastër
-Dragobi – Tropojë
-Mali i Shkëlzenit – Tropojë
-Shëngjergj – Tiranë
-Kuç – Vorë / Shetel – Shijak
-Bjeshka e Rahovicës – Malësi e Madhe
Vau i Dejës/ I vuri flakën varrezave të fshatin Barbullush, arrestohet piromani 80-vjeçar! I ‘skeduar’ për akte të ngjashme
Pjesa më e madhe e zjarreve dyshohet se vendosen në mënyrë të qëllimshme ose nga pakujdesia. Një rast i ngjashëm ka ndodhur edhe në Vaun e Dejës, ku Policia e Shkodrës ka arrestuar pas identifikimit një person të dyshuar.
I arrestuari është Lodovik Rrethej, 80 vjeç, banor i kësaj zone dhe sipas policisë dyshohet se e ka kryer herë pas here një veprim të ngjashëm kohët e fundit. Ai akuzohet se ndezi zjarr ditën e djeshme në varrezat e fshatit Barbullush dhe si pasojë e përhapjes së flakëve u dogj një sipërfaqe e konsiderueshme toke me shkurre. Nga flakët nuk u dëmtuan varrezat dhe vatra u shua në kohë, pa lejuar përhapjen.
Policia apeloi që qytetarët të jenë të kujdesshëm pasi ndëshkimet do jenë të rënda.
Njoftimi i Policisë së Shkodrës:
“Si rezultat i punës hetimore dhe i veprimeve të shpejta për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të autorëve të zjarrvënieve, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vau i Dejës arrestuan në flagrancë shtetasin L. Rr., banues në fshatin Barbullush.
Ky shtetas dyshohet se ditën e djeshme ka ndezur zjarr në varrezat e fshatit Barbullush dhe si pasojë e përhapjes së flakëve është djegur një sipërfaqe e konsiderueshme toke me shkurre. Nga flakët nuk janë dëmtuar varret.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër apelon për të gjithë qytetarët që në asnjë rast të mos ndezin zjarre, pasi do të përballen me ligjin.
Në bashkëpunim me komisariatet në varësi, vijon intensivisht puna për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të çdo autori të zjarrvënieve në territorin e qarkut të Shkodër.
Policia fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 çdo rast të kësaj veprimtarie kriminale dhe të paligjshmërive në tërësi, duke iu garantuar anonimat, reagim të shpejtë dhe të paanshëm”.