Kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi po raporton në mbledhjen e përbashkët të dy Komisioneve, atë për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale dhe për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike.
Kreu i KQZ po raporton për veprimtarinë financiare të institucionit që drejton përgjatë vitit 2024. Ai tha sevetëm 50 parti politike dorëzuan raportet financiare të tyre për veprimtarinë e vitit 2023, ndërsa të tjerat u sanksionuan.
“Sa i përket financimit të partive politike, në 2024, buxheti i shtetit në KQZ u shpërndanë 345 milionë lekë si fonde vjetore për partitë politike, sipas parashikimeve të ligjit për partitë. Për dijeninë tuaj vetëm 50 nga 132 nga partitë dorëzuan raporte financiare për veprimtarinë e tyre politike apo elektorale në 2023. Të gjithë partitë e tjera që nuk iu përmbajtën parashikimeve të Kodit Zgjedhor apo kateve të tjera, u vendosën sanksione për rastin. Në kuadër të këtij procesi, KQZ nëpërmjet një procedure transparente, zgjodhi 12 audituesit ligjorë që bënë procesin e verifikimi të raporteve financiare të partive politike. Sa i përket buxhetit të KQZ, për vitin 2024 u alokuan nga kuvendi dhe këshilli i ministrave 300 mln lekë por pas rishikimeve për shkak të procesin zgjehdor të Himarës dhe zgjedhjeve 2025, shkoi në 650.9 mln lekë duke përfshirë gjithë shpenzimet. Nga vlerësimi i institucioneve audituese të brendshme dhe të jashtme, është konstatuar një menaxhim korrekt i fondeve buxhetore të KQZ.”, u shpreh Celibashi.