Ngjashëm si çdo vit, me ardhjen e mërgimtarëve gjatë sezonit veror, Kumanova ngulfatet nga kaosi në trafik, ndërsa kalimi nga një pikë në tjetrën zgjatë shumë gjatë. Qytetarët shprehen të shqetësuar nga ky kaos, ndërsa institucionet nuk po gjejnë zgjidhje me vite për këtë problem, shkruan Portalb.mk.
Me rritjen e numrit të automjeteve, rrugët bllokohen dhe mungesa e vendeve për parkim shkakton vonesa dhe nervozizëm tek shoferët.
Po ashtu, parkimi i parregullt i makinave vetëm se e shton më shumë kaosin në qytet.
Një qytetar i Kumanovës thotë se situata është përkeqësuar ndjeshëm me ardhjen e mërgimtarëve, dhe mungesa e kontrollit në trafik vetëm sa e përkeqëson kaosin në trafik.
“Nuk ka ditë që nuk ngecim në trafik, sidomos në mëngjes dhe pasdite. Të gjithë parkojnë ku të munden, trotuaret janë të bllokuara, dhe policia nuk merr masa, por vetëm i marrin veturat. Mendoj se duhet të gjendet zgjidhje e jo vetëm të japin dënime. Tani kanë filluar të vijnë mërgimtarët, dhe qyteti ka filluar të mbushet me vetura, por infrastruktura nuk e përballon këtë fluks sepse nuk ka kushte”, tha një qytetar.
Nga ana tjetër, një banor nga fshati Çerkez u shpreh i revoltuar duke theksuar se situata në trafik është bërë e padurueshme, dhe mungesa e policisë rrugore në terren po e bën trafikun të pakontrolluar nga drejtuesit e mjeteve, duke rritur rrezikun për aksidente.
“Unë punoj në Kumanovë dhe situata është bërë e padurueshme gjatë këtyre ditëve sepse ka më shumë vetura, dhe nuk ka rend. Të gjithë i bien borisë, nuk ka vend për kthim apo ndalesa. Shumë shoferë të huaj nuk i respektojnë rregullat, dhe i ngasin veturave me shpejtësi. Mendoj se policia rrugore duhet të jetë në terren dhe të mbajë në kontrolle qytetin, dhe jo pasi të ndodhe ndonjë aksident të të marrin masa”, tha ai.
Një qytetare tjetër u shpreh e shqetësuar për sigurinë e këmbësorëve, veçanërisht të fëmijëve, duke theksuar se mungesa e respektimit të rregullave nga shoferët po e vështirëson shumë lëvizjen e tyre.
“Kur dal me fëmijët me karrocë, s’kam ku të kaloj. Trotuaret janë plot me makina të parkuara gabimisht. Kam pasur raste kur kam ecur në rrugë mes veturave, e kjo është e rrezikshme. Duhet më shumë kontroll dhe dënime për shoferët që nuk respektojnë rregullat”, tha qytetarja.
Nga Sektori për Punë të Brendshme (SPB) Kumanovë bëjnë të ditur se, që nga fillimi i vitit deri më tani janë lëshuar gjithsej 3.077 urdhërpagesa për shkelje të rregullave të komunikacioni lidhur me parkimin e gabuar.
“Veçanërisht në këtë periudhë, kur është rritur frekuentimi i automjeteve, zyrtarët policorë janë të shpërndarë në terren dhe në përputhje me kompetencat e tyre ligjore ndërmarrin masa përkatëse në rast të bllokimit të komunikacionit. Çdo ditë zhvillohen kontrolle të shtuara aksionare, veçanërisht në fushën e komunikacionit, dhe ndëshkohen automjetet apo këmbësorët që nuk i respektojnë rregullat dhe ligjet e komunikacionit”, thanë nga SPB Kumanovë.
Në mes tjerash, nga SPB theksojnë se zyrtarët policorë nga Departamenti për Parandalim zhvillojnë aktivitete parandaluese dhe përmes komunikim të drejtpërdrejtë me qytetarët, ata i informojnë për rëndësinë e respektimit të rregullave të trafikut, dhe i inkurajojnë qytetarët që t’i parkojnë automjetet me ndërgjegje dhe përgjegjës.
SPB Kumanovë apelon deri te qytetarëve që të sillen me ndërgjegje dhe përgjegjësi në komunikacion.
Nga Komuna e Kumanovës nuk u përgjigjën në pyetjet gazetareske për këtë problem dhe nëse kanë ndonjë plan për zgjidhjen e të njëjtit.
Ndryshe, kaosi në trafik në Kumanovë shtohet çdo vit gjazë sezonit të verës dhe dimrit kur vijnë mërgimtarët.