E ardhmja e Maks Vershtapenit vazhdon të mbetet një prej temave më të nxehta në Formula 1. Katër herë kampioni i botës në daljet e fundit ka theksuar vazhdimisht pakënaqësistë e tij për epokën me rregulloren e re në F1, ndërsa ka nisur një sezon shumë të vështirë.
Piloti i Red Bullit ka folur së fundmi në një intervistë për “BBC Radio 5”, duke lënë dyshime të mëdha për vazhdimësinë e tij në Formula 1. “Privatisht jam shumë i kënaqur. Zakonisht priten 24 gara, këtë herë janë 22… dhe atëherë fillon të pyesësh veten nëse ia vlen. Apo ndoshta e shijoj më shumë kohën në shtëpi me familjen? Apo duke takuar miqtë kur nuk jam duke garuar?”, shprehet holandezi, duke lënë të kuptohet se nuk bëhet fjalë vetëm për pakënaqësi me rregulloren e re të Formulës 1, por për një dilemë më të thellë personale.
“Dua të jem këtu për t’u argëtuar. E pranoj lehtësisht të jem në vendin e shtatë apo të tetë, aty ku jam tani, sepse e di që nuk mund të dominoj gjithmonë apo të luftoj për podium në çdo garë. Jam shumë realist në këtë aspekt dhe e kam përjetuar më parë. Nuk kam qenë gjithmonë fitues në Formula 1″, shprehet Vershtapen, duke kujtuar se mes viteve 2015 dhe 2020 pati një rol më dytësor, deri sa arriti të mposhtte Hamiltonin për titullin botëror në vitin 2021.
Reflektimet e tij tregojnë se nuk bëhet fjalë thjesht për mungesë rezultatesh, por për diçka më të thellë: “Kur je në vendin e shtatë apo të tetë dhe nuk e shijon mënyrën se si zhvillohet gara, kjo nuk ndihet natyrale për një pilot. Sigurisht që përpiqem të përshtatem, por nuk është e këndshme mënyra se si duhet të garosh. Është pothuajse kundër natyrës së pilotit. Arrin një pikë ku thua: kjo nuk është ajo që dua të bëj. Sigurisht, mund ta pranosh dhe të thuash: do fitoj shumë para, shkëlqyeshëm. Por në fund, nuk bëhet fjalë për para, sepse kjo ka qenë gjithmonë pasioni im.
Që fëmijë, kjo ishte ajo që doja të bëja. Atëherë nuk kisha asnjë ide se çfarë do të arrija apo sa para do të fitoja. Fëmijët nuk mendojnë për këto gjëra. Dua të jem këtu për t’u argëtuar dhe për ta shijuar, por për momentin nuk është kështu. Sigurisht që ka aspekte që i shijoj. Më pëlqen të punoj me ekipin tim, është si një familje e dytë. Por sapo ulem në makinë, për fat të keq, nuk është më aq e këndshme. Po përpiqem. I them vetes çdo ditë të përpiqem ta shijoj, por është shumë e vështirë”, shprehet 28-vjeçari.
PLANET PËR TË ARDHMEN – Sa i përket të ardhmes, Vershtapen thotë: “Shumë sportistë flasin për mënyrën se si arrihet suksesi. Gjithçka nis nga kënaqësia që merr nga ajo që bën. Tani mendoj se po jap 100% dhe vazhdoj të përpiqem, por mënyra se si e detyroj veten të jap maksimumin nuk më duket shumë e shëndetshme, sepse nuk po e shijoj më atë që bëj. Dikush mund të thotë lehtësisht: ‘Ke fituar kaq shumë tituj dhe gara, dhe tani ankohesh sepse makina nuk është e mirë’. Ndoshta kështu duket nga jashtë, por unë e shoh ndryshe”, përfundon Maks Vershtapen, duke theksuar se ndjenjat e tij nuk lidhen thjesht me rezultatet.