Një situatë e paprecedentë është regjistruar në ambientet e Qendrës së Numërimit të votave nr.30 në Kashar. Vëzhguesi i kandidatit të PS, Ornaldo Rakipi ka dhunuar kreun e KZAZ, Remzi Memedi.
Siç shihet edhe nga pamjet e publikuara vëzhguesi i Rakipit godet me shkelma kreun e KZAZ. Sherri ka ndodhur në prani të komisionerëve dhe vëzhguesve të tjerë, duke krijuar tension dhe ndërprerje të menjëhershme të numërimit të votave.
Policia ka identifikuar dhe ka shoqëruar në Komisariat Rei Nozlli (vëzhguesi i kandidatit të PS), teksa po marrin në pyetje personat që ishin të pranishëm si dëshmitar okular. Në njoftimin zyrtar për mediat blutë bëjnë me dije gjithashtu se në konflikt nuk përfshirë asnjë punonjës policie.
“Rreth orës 14:30, është kërkuar ndërhyrja e Policisë në KZAZ Nr. 30, në Yrshek, pasi gjatë procesit të numërimit, përfaques të subjekteve të ndryshme politike janë konfliktuar me njeri-tjetrin.
Shërbimet e Policisë kanë shoqëruar shtetasin R. N., 26 vjeç, i dyshuar i përfshirë në konflikt, për veprime të metejshme proceduriale. Në lidhje me pretendimin se në konflikt janë përfshirë dhe punonjës policie, sqarojmë se ky pretendim është i pavërtetë. Vijon puna për shoqërimin e personave të tjerë të përfshirë në konflikt dhe dokumentimin e plotë e rrethanave të konfliktit”, njoftoi sot policia.
Sipas pretendimeve të përfaqësuesve të Partisë Demokratike shkak për sherrin ka qenë shpallja e pavlefshme e një fletëvotimi, ku ishin votuar dy kandidatë të ndryshëm.
Kjo qendër ka gjithsej 61 kuti ndërsa deri deri tani janë numëruar 40 prej tyre.
Sherri në KZAZ-n e Kasharit/ Celibashi zbraz qëndrën e numërimit, largon të gjithë vëzhguesit
Pas sherrit të ndodhur në qëndrën e numërimit të Yrshekut, ku një vëzhgues i kandidatit të PS-së Ornaldo Rakipi ka dhunuar kreun e KZAZ, Remzi Mehmeti, ka reaguar menjëherë Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi.
Celibashi ka marrë menjëherë masa, ku përmes një shkrese ka dhënë urdhër për përjashtimin e çdo vëzhguesi të pranishëm në Kashar.
Sipas vendimit të Celibashit thuhet që kërkohet revokimi i akreditimit të çdo vëzhguesi.