Ka nisur mëngjesin e kësaj të hëne procesi i rinumërimit të votave për partitë dhe kandidatët në qarkun e Tiranës. Kjo është dita e pestë e rinumërimit ndërsa deri më tani janë hapur 510 kuti nga 1282 në total. Rezultatet e deritanishme tregojnë se ka pasur gabime, por që nuk ka trend që mund të çojë në ndryshim të mandateve.
Sipas të dhënave nga KQZ, PD rezulton se ka marrë deri më tani 273 vota pa meritë, që do i zbriten nga numërimi i parë (mund të jenë vota të pavlefshme ose që i janë marrë partive të vogla). PS ka gjithashtu 201 vota që i ka marrë pa meritë nga 11 maji. Edhe nisma Shqipëria Bëhet humb 29 vota, që rezulton se i janë shtuar në numërimin e parë. PSD e Tom Doshit i hiqen gjithashtu deri më tani 23 vota nga numërimi i parë.
11 vota i hiqen Lëvizjes Bashkë ndërsa 11 të tjera partisë Mundësia, e cila mund të rrezikojë mandatin e saj në Tiranë. Ndërkohë koalicionit të Lulzim Bashës, Koalicioni Euroatlantik, i shtohen 13 vota që rezultojnë se ia kanë marrë nga numërimi i parë. Edhe koalicionit të Enkelejd Alibeajt, Djathtas për Zhvillim, rezulton se i kanë marrë 8 vota nga numërimi i parë, të cilët i shtohen me rinumërimin.
Sa i përket situatës së kandidatëve brenda partive, rinumërimi tregon se Ilir Alimehmeti, i cili nisi edhe një betejë ligjore për rinumërimin, ka marrë në numërimin e parë 78 vota pa meritë. Jorida Tabaku, e cila mundi Alimehmetin, ka marrë deri më tani 70 vota pa meritë ndërkohë që Ilir Meta ka 32 vota të pamerituara. Myslim Murrizi ka gjithashtu 40 vota plus.
Në PS, ministri Ervin Hoxha ka marrë 221 vota pa meritë, Xhemal Qefalia me 132 të tilla, që do t’u hiqen nga numërimi i parë. Fatmir Xhafaj ka marrë gjithashtu 104 vota plus të cilat i zbriten, Olta Xhaçka e cila fitoi përballë Blerina Gjylametit ka 48 vota që do t’i hiqen nga numërimi i parë. Kësaj të fundit i shtohen 6 vota që rezulton se ia kanë marrë nga 11 maji.
Sipas KQZ, procesi i rinumërimit për Tiranën pritet të zgjasë 10 ditë, dhe më pas do vijohet me Fierin dhe 360 kutitë e Durrësit.
‘Rebelimi’ i Dogjanit, KAS e ndalon të hyjë në qendrën e rinumërimit: Policia të marrë masa për largimin e tij
Pas debatit për procesin e rinumërimit, ku hodhi akuza se po i ‘vidhen’ votat duke ia shpallur të pavlefshme, KAS ka ndaluar Asllan Dogjanin të hyjë në qendrën e rinumërimit në Pallatin e Sportit “Farie Hoti” në Tiranë. Në shkresë, KAS thotë se Dogjani ka shkelur vazhdimisht rregullat dhe ka vazhduar me sjelljen e tij të papranueshme ndaj numëruesve dhe anëtarëve të këtij organi.
KAS i kërkon policisë që të mos lejojë Dogjanin në ambientet e qendrës së rinumërimit.
“KAS vendosi të kërkojë ndihmën e policisë në mjediset e Pallatit të Sportit “Farie Hoti” për të larguar nga mjediset ku po zhvillohet numërimi shtetasin Asllan Dogjani, i cili në mënyrë të përsëritur ka shkelur rregullat e vëzhgimit të procesit, duke intimiduar numëruesit dhe duke kërcënuar dhe ofenduar anëtarët e KAS-it. Pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme për të ruajtur qetësinë dhe për të respektuar rregullat e z.Dogjani ka vazhduar me sjelljen e papranueshme, për këtë arsye KAS vendosi t’i ndalojë Asllan Dogjanit qëndrimin e tij në ambientet e pallatit të sportit dhe t’i kërkojë policisë që të marrë masa për largimin e tij, gjerësisht të mos lejojë futjen e tij në mjediset ku po zhvillohet numërimi. “, thuhet në vendim.
KAS i shpalli votën të pavlefshme, Dogjani pakënaqësi për rinumërimin: Do iu dërgoj në SPAK! Iu kemi prishur terezinë, kanë dashur të shkojnë me pushime
Kandidati i PD Asllan Dogjani ka “shpërthyer” gjatë procesit të rinumërimit të votave për partitë dhe kandidatët në qarkun e Tiranës, proces që vijon prej pesë ditësh. Shkak është bërë një votë, shënimi i së cilës ka devijuar nga kutia e emrit të tij. KAS e ka shpallur të pavlefshme votën, pasi sikurse ka sqaruar edhe më parë, do të llogaritet vota vetëm nëse shënimi bëhet brenda kutisë.
Ai “kërcënon” se do të shkojë në SPAK, teksa thotë se i kanë marrë shumë vota deri më tani me këtë pretendim. Më pas ai i drejtohet anëtarit të KAS, Ilir Rusmali duke i thënë se duhet t’i vijë turp, që i shpalli votën e pavlefshme. “Jo numërues demokrat të jetë, po vëllai im të jetë”, thotë ai.
“Nuk më rruhet fare për policinë. Është e paqartë vota. Më bën presion me policinë. Vidhni vota, hajduta! Nuk është hera e parë gjithë ato vota më keni vjedhur deri tani në të gjitha kutitë. Mos u tallni me votat e qytetarëve se keni ditë e natë që rrini këtu. Hajdeni dhe shihni se si e kanë shprehur vullnetin qytetarët. Më heq vota me të padrejtë. Ju më keni hequr vota nga 4-5 çdo sekondë. Nuk lini me futur edhe vëzhgues. Turp të keni, do të marr videot një për një dhe do t’i çoj në SPAK. Turp të kesh Ilir, turp.”, thotë Dogjani.
Më pas, ai vijon duke thënë se anëtarëve të KAS iu është prishur terezia se kanë dashur të shkojnë me pushime.
“Iu kemi prishur terezinë këtyre, kanë dashur të shkojnë me pushime Rusmali me disa të tjerë. Shihni në sistem sesa vota po marrin.”, thotë ai.
Vota e shpallur e pavlefshme