Presidenti i Republikës së Shqipërisë, z. Bajram Begaj, po qëndron sot për një vizitë zyrtare në Republikën e Kosovës. Me këtë rast, Policia e Kosovës ka ndërmarrë masa të shtuara sigurie për të garantuar mbarëvajtjen e vizitës dhe ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë lëvizjes së eskortës presidenciale dhe aktiviteteve që do të zhvillohen sipas agjendës zyrtare, do të ketë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit në disa segmente rrugore, në intervale të shkurtra kohore. Po ashtu, pritet edhe riorientim i trafikut në rrugë alternative.
Policia e Kosovës u bën thirrje qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik për mirëkuptim dhe bashkëpunim, duke theksuar se të gjitha masat janë në funksion të sigurisë së përgjithshme dhe mbarëvajtjes së vizitës shtetërore.