Valsi i famshëm “Danubi Blu” i kompozitorit austriak Johann Strauss II ka qenë sinonim me udhëtimin në hapësirë për shumë njerëz që nga përdorimi i tij në filmin klasik të shkencës fantastike të Stanley Kubrick, “2001: Një Odise në Hapësirë” (1968).
Por këtë të shtunë, valsi botërisht i njohur bëri vërtet udhëtim ndër yje, kur antena e Agjencisë Evropiane të Hapësirës (ESA) transmetoi një interpretim të drejtpërdrejtë të tij në hapësirë për të festuar 200-vjetorin e lindjes së kompozitorit.
Orkestra Simfonike e Vjenës mbajti një koncert në kryeqytetin austriak.
Koncerti u transmetua drejtpërdrejt në internet dhe u shfaq gjithashtu në një ekran publik në Vjenë, në New York në Bryant Park, si dhe pranë antenës në Spanjë.
“Tingulli i dixhitalizuar do të transmetohet nëpërmjet pjatës satelitore 35 metra të madhe të stacionit tokësor të ESA-s në Cebreros, Spanjë,” tha drejtori i përgjithshëm i ESA-s, Josef Aschbacher, për AFP para interpretimit.
Prej andej, valsi do të “transmetohet në formë të valëve elektromagnetike”, shpjegoi astronomi austriak.
‘Tipike për hapësirën’
“Danubi Blu” përshkruan elegancën e Vjenës së shekullit XIX, e cila ende jeton në sezonin e zhurmshëm të ballove të qytetit.
Për Norbert Kettner, drejtor i bordit të turizmit të Vjenës, valsi i Danubit është një “himn jozyrtar hapësinor” falë Kubrick-ut.
Ky vals i përjetshëm është “tingulli tipik i hapësirës”, tha Kettner, duke shtuar se melodia është luajtur “gjatë manovrave të ndryshme të ankorimit të Stacionit Ndërkombëtar Hapësinor (ISS)”.
Ky vit shënon 200-vjetorin e lindjes së kompozitorit të njohur botërisht të valleve, Johann Strauss II.
Kur valsi u interpretua të shtunën, Orkestra Simfonike e Vjenës vuri në dukje ajërsinë e tij, sikur të ishte duke notuar nëpër hapësirë, sipas drejtorit Jan Nast.
Nast, i cili përgatiti programin për “koncertin ndër-yjor” një orësh të së shtunës, tha se muzika është një gjuhë “që prek shumë njerëz” dhe ka “fuqinë universale për të përcjellë shpresë dhe gëzim”.
**Plotësimi i një boshllëku**
Pasi të transmetohet përmes pjatës satelitore në Spanjë, sinjali do të udhëtojë me shpejtësinë e dritës dhe do të arrijë anijen kozmike Voyager 1 të NASA-s – objekti më i largët i krijuar ndonjëherë nga njeriu – pas rreth 23 orësh e 3 minutash.
Pas kalimit të Voyager 1, sinjali do të vazhdojë udhëtimin e tij ndër-yjor.
Duke arritur Voyager 1 dhe binjakun e saj, Voyager 2, Austria synon gjithashtu të korrigjojë një padrejtësi të perceptuar.
Të dyja Voyager-at mbartin “Diskun e Artë” – disqe bakri të veshura me ar, 12-inçëshe, të krijuara për të treguar historinë e botës sonë për ndonjë inteligjencë jashtëtokësore.
Disqet përmbajnë 115 imazhe të jetës në Tokë, të regjistruara në formë analoge, si dhe tinguj dhe pjesë të ndryshme muzikore.
Ndërsa “Flauti Magjik” i kompozitorit austriak Wolfgang Amadeus Mozart u përfshi në përzgjedhjen e 27 pjesëve muzikore, valsi i famshëm i Strauss-it mungonte.