Të martën në mbrëmje u zhvilluan dy sfidat e mbetura për raundin e 10-të në Superligën shqiptare të futbollit. Vllaznia dhe AF Elbasani ndajnë kreun me 20 pikë.
Në Rrogozhinë, Egnatia dhe Vllaznia barazuan 2-2 në një ndeshje që dhuroi emocione të forta deri në fund dhe shumë raste. Pjesa e parë u mbyll 0-1 për shkodranët që iu falën një goli të bukur të Sherif Kallakut në minutën e 44-t. Vendasit reaguan në fraksionin e dytë dhe barazuan me Yahaya në minutën e 62-të. 15 minuta më vonë Vllaznia fitoi një penallti dhe Egnatia mbeti me dhjetë futbollistë pas daljes me karton të kuq të Fangajt. Nga 11 metërshi kapiteni Balaj nuk gaboi dhe i dha të tijve epërsinë e përkohshme. Mirëpo fundi i sfidës (86′) kishte rezervuar surpriza dhe një skemë e bukur nga Aleksi dhe Jaime, bëri që ky i fundit të barazonte nga zhvillimet e një goditje dënimi. Në fund ndeshja u mbyll 2-2.
Barazim, por pa gola në “Arenën e Demave”. Vora ndali 0-0 Partizanin. Të dyja skuadrat kanë tre sfida pa fitore, ndërsa Partizani vijon të jetë në zonën e ftohtë.
Në ndeshjet e tjera të raundit të 10-të, Dinamo dhe Teuta barazuan 0-0. AF Elbasani mposhti në transfertë Flamurtarin me rezultatin minimal 0-1. Goli i Xhonatan Lajthisë vendosi fatin e këtij takimi. Bylis mori fitoren e dytë radhazi në kampionat, pasi mposhti Tiranën 0-2 në “Selman Stërmasi”.
Pas përfundimit të javës së 10-të, Vllaznia dhe AF Elbasani kryesojnë me nga 20 pikë, ndërsa Egnatia ndodhet në vendin e tretë me 19 pikë.
Raundi i 11-të luhet të shtunën dhe të dielën, ku spikat Vllaznia – Dinamo apo AF Elbasani – Egnatia.
Superliga, raundi 10-të:
E hënë, 03 nëntor 2025
14:00 Tirana 0-2 Bylis
17:00 Dinamo 0-0 Teuta
17:00 Flamurtari 0-1 AF Elbasani
E martë, 04 nëntor 2025 – 16:00
Egnatia 2-2 Vllaznia
Vora 0-0 Partizani
Superliga, raundi 11-të:
E shtunë, 08 nëntor 2025
14:00 Tirana – Vora
17:00 Vllaznia – Dinamo
E diel, 09 nëntor 2025
14:00 Bylis – Flamurtari
17:00 AF Elbasani – Egnatia
17:00 Teuta – Partizani