Superliga shqiptare e futbollit zhvilloi këtë të shtunë tre ndeshjet e radhës për raundin e 30-të. Tri pikët shkuan për Vllazninë, Egnatian dhe Dinamon.
Vllaznia triumfoi 0-2 ndaj Partizanit në kryeqytet. Heroi i shkodranëve ishte Kevin Dodaj, i cili shënoi dopietë në pjesën e dytë, pasi u fut nga stoli. Para avantazhit të shkodranëve, kryeqytetasit ishin dominues, por nuk i shfrytëzuan rastet për shënim. Me këtë fitore, Vllaznia shkëputet në krye me 56 pikë, ndërsa Partizani mbetet i katërti me 44 pikë.
Në ndeshjen tjetër, Egnatia triumfoi pastër 3-0 ndaj Bylisit falë tre golave të shënuar nga Daniel Adjessa në pjesën e dytë. Me këtë sukses, rrogozhinasit ngjiten në vendin e dytë me 54 pikë, ndërsa Bylis mban vendin e shtatë me 30 pikë.
Në ‘Air Albania’ Dinamo përmbysi 4-1 AF Elbasanin, duke bërë që miqtë të humbisnin vendin e dytë të renditjes. -AF Elbasani kaloi në epërsi me të përhershmin Xhonatan Lajthia pas tre minutave lojë, por Dejvi Bregu barazoi në fundin e fraksionit të parë me një penallti që u dha pas pamjeve në VAR. Në tunelin e dhomave të zhveshjes arbitri Kreshnik Cjapi u detyrua të largojë me karton të kuq drejtorin sportiv të miqve, Elton Guranjakun dhe ndihmëstrajnerin e Dinamos, Renaldo Kalarin. Në pjesën e dytë Dinamo përmbysi me Ayodeji, Lorenco Vilën dhe sërish Bregun, duke u afruar me vendin e katërt.
Superliga, raundi i 30-të:
Flamurtari 1-1 KF Tirana 3 prill 2026, ora 19:00, stadiumi “Flamurtari”
Egnatia 3-0 Bylis, 4 prill 2026, ora 17:00, stadiumi “Arena Egnatia”
Partizani 0-2 Vllaznia, 4 prill 2026, ora 17:00, stadiumi “Arena e Demave”
Dinamo 4-1 AF Elbasani, 4 prill 2026, ora 20:00, stadiumi “Air Albania”
Vora – Teuta, 5 prill 2026, ora 15:00, stadiumi “KF Vora”