Në Farkë u zhvillua derbi i kryeqytetit ndërmjet Dinamos dhe Tiranës, sfidë që vendoste përballë dy ekipet më të titulluara të volejbollit të femrave në Shqipëri, 20 herë kampione secila. Vajzat bardheblu të trajnerit Adrian Gorenca triumfuan 0-3 në një takim që zgjati 1 orë e 31 minuta. Tirana e nisi lojën mirë, duke komanduar në çastet e para, por Dinamo u afrua dhe vendosi baraspeshën 17-17. Megjithatë në momentet vendimtare, skuadra bardheblu rikaloi përpara, për ta fituar setin e parë 22-25. I ngjashëm ishte edhe seti e dytë, i mbyllur 19-25 për Tiranën. Edhe në setin e tretë vajzat bardheblu ishin gjatë të gjithë kohës në epërsi dhe me gjithë përpjekjet në fund nga Dinamo, Tirana fitoi 23-25. Enkeleda Braho ishte lojtarja e ndeshjes, me 20 pikë për Tiranën, ndërsa venezuelasja Johenlis Belisario, u prezantua me 14 pikë në debutimin me bardheblutë.
Në takimet e luajtura të premten, Partizani mundi 0-3 Vllazninë, ndërsa Teuta triumfoi 1- 3 ndaj Pogradecit.