Volejbolli shqiptar mbylli pak javë më parë sezonin 2024- 2025, një edicion sportiv ku në lojë ishin pesë kompeticione në arenën kombëtare dhe atë ndërkombëtare, siç janë organizimet e përbashkëta me Kosovën. Një sezon ku kryefjalë ishin Tirana te femrat, e rikthyer në majë pas më shumë se një dekade, si dhe Partizani si dominues absolut në radhët e meshkujve.
Tirana i dha fund pritjes 12-vjeçare duke rimarrë fronin në volejbollin e femrave. Pas disa luhatjeve në fazën e parë, skuadra e drejtuar nga Adrian Gorenca pati një rritje të jashtëzakonshme në pjesën e dytë të sezonit. Tirana u tregua fantastike në “play off”-in e Superligës, teksa fillimisht likuidoi Partizanin me dy takime në gjysmëfinale, për të shkurorëzuar më pas Skënderbeun në finale me rezultatin 3-0 me ndeshje, duke festuar në Korçë.
Ndonëse me disa lojtare të huaja cilësore në përbërje dhe me vendore interesante, edhe një herë tjetër ishte Enkeleda Braho ajo që meritoi pa diskutim vlerësimin MVP të kampionatit, duke u treguar thjesht e jashtëzakonshme në parket, për ta çuar Tiranën drejt suksesit në kampionat. Ky ishte titulli i 21-të për ekipin bardheblu, që lë kështu pas Dinamon (20 tituj), duke u bërë skuadra më fituese e sportit të rrjetës në Shqipëri. Por Tirana fitoi edhe trofeun e dytë më të rëndësishëm kombëtar, Kupën e Shqipërisë, ku edhe aty mundi Skënderbeun në finalen e zhvilluar në pallatin e sportit “Tamara Nikolla”. Ndërkohë, Skënderbeu, skuadra që futej me statusin e kampiones, e mbylli sezonin duke ngritur vetëm Kupën e FSHV-së, një trofe më shumë testues në prag të kampionatit. Përsa i përket arenës mbarëkombëtare, të dy trofetë e edicionit 2024-2025 shkuan në Kosovë. Kështu Drita u shpall fituese e Ligës “Gjergj Kastrioti”, ndërsa në Kupën “Pavarësia” triumfoi Skënderaj.
TË KUQTË, DOMINIM ABSOLUT TE MESHKUJT
Në radhët e meshkujve dominimi i Partizanit në sezonin 2024-2025 ishte absolut. Skuadra e drejtuar nga Ylli Tomori fitoi gjithçka, çdo kompeticion të mundshëm, duke i shtuar muzeut të klubit plot 5 trofe. Jo vetëm kaq, por këtë e bëri duke shënuar rezultate rekord dhe pa pësuar asnjë humbje. Partizani ishte një makineri fitoresh të pastra, teksa në 110 sete gjithsej në çdo aktivitet, arriti që të fitojë 108, duke lënë vetëm 2 rrugës, të dyja kundër Skënderbeut.
Kështu, të kuqtë u konfirmuan kampionë të Shqipërisë, teksa ngritën titullin e 17-të në historinë e klubit. Përveç titullit kampion, skuadra kryeqytetase fitoi edhe Kupën e Shqipërisë si dhe Kupën e Federatës. Gjithashtu nuk fali as në arenën mbarëkombëtare, duke triumfuar në Ligën “Gjergj Kastrioti” dhe në Kupën “Pavarësia”. Një Partizan që kishte një grup shumë të fortë që nga sezoni i kaluar, me Osman Qepën, Raul Sabliqin, brazilianin Coutinho të konfirmuar, për t’u përforcuar edhe më shumë në merkato me Ledion dhe Krist Martiron, duke u shndërruar kështu në një ekip të pakonkurrueshëm.