Në BE po shqyrtohet ideja që votimi me unanimitet të kufizohet vetëm për çështjet kryesore, ndërsa për hapat teknik gjatë negociatave të vendoset me shumicë e kualifikuar, një ndryshim që synon të shmangë bllokadat dhe vetot e njëanshme, si ato që kanë penguar zgjerimin për vite me radhë. Kjo nismë, e mbështetur nga 16 vende anëtare, shihet si një mënyrë për t’i dhënë ritëm të ri procesit të integrimit evropian. Por a do të përfitojë Maqedonia e Veriut nga kjo? Vështirë. Edhe pse mund të lehtësoheshin disa procedura teknike, përfundimi mbetet i njëjtë: pa konsensusin me Bullgarinë dhe pa zgjidhjen e çështjeve të hapura, rruga drejt BE-së për Shkupin do të vazhdojë të mbetet peng i politikës dhe çështjeve të së kaluarës.
Në Bruksel po shtohet gjithnjë e më shumë debati për reformimin e mënyrës se si Bashkimi Evropian merr vendime lidhur me zgjerimin. Ideja që disa vendime gjatë negociatave me vendet kandidate të merren me shumicë të kualifikuar, dhe jo më me unanimitet, po shihet si përpjekje për t’i dhënë fund bllokadave politike që kanë frenuar procesin e integrimit. Kjo nismë, e mbështetur nga vende si Austria, Gjermania, Italia dhe Sllovenia, do të mundësonte që çështjet teknike të ecin përpara pa pasur nevojë për pëlqimin e secilit shtet anëtar.
Në këtë rrafsh, Maqedonia e Veriut shihet si një nga vendet që do të mund të përfitonte më shumë, duke pasur parasysh se përparimi i saj drejt BE-së është penguar për vite nga vetoja bullgare. Megjithatë, edhe nëse ky model vendimmarrjeje do të miratohej, procesi nuk do të ishte pa pengesa, sepse për hapjen dhe mbylljen e negociatave sërish kërkohet konsensus i plotë. Me fjalë të tjera, vetoja bullgare nuk do të zhdukej, por do të kufizohej ndikimi i saj në fazat e ndërmjetme.
Në Shkup, pritjet janë të kujdesshme. Deri më tani, ndryshimet kushtetuese që duhet të përfshijnë komunitetin bullgar në Preambulën e Kushtetutës mbeten kushti i vetëm për hapjen e klasterëve negociues, një çështje që ende nuk ka mbështetje nga partia në pushtet që ka edhe numrin më të madh të deputetëve në Kuvend.
Megjithatë, pas zgjedhjeve lokale të tetorit, pritet që integrimi evropian të rikthehet në qendër të agjendës politike. Vizita e presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në Shkup pritet të japë sinjale të reja për rrugën që do të ndjekë vendi. Pyetja mbetet nëse Brukseli ndryshon rregullat, a do të jetë kjo mjaftueshëm për të çliruar Maqedoninë e Veriut nga cikli i premtimeve dhe pengesave të përsëritura? Vështirë se mund të thuhet PO!
Vendet anëtare humbin durimin, kërkojnë ndryshim të rregullave për zgjerimin e BE-së
Iniciativa për të ndryshuar procesin e vendimmarrjes për këtë çështje vjen nga Austria dhe Sllovenia, së bashku me Gjermaninë dhe Italinë, dhe deri më tani ka mbështetjen e 16 shteteve anëtare të BE-së.
Lëvizja u diskutua më 6 tetor edhe në Shkup nga ministrja federale austriake për Evropën, integrimin dhe familjen, Claudia Plakolm, dhe sekretarja e shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Evropiane të Sllovenisë, Neva Grashiq, të cilat vizituan vendin.
Plakolm dhe Grashiq, në një konferencë të përbashkët për shtyp me Ministrin për Çështjet Evropiane të Maqedonisë së Veriut, Orhan Murtezani, shpjeguan se qëllimi i iniciativës është të përshpejtojë procesin e pranimit të kandidatëve, duke shmangur futjen e çështjeve dypalëshe dhe të brendshme politike në proces.
Kjo, siç thanë ata, është me qëllim përshpejtimin e pranimit të vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor, përfshirë vendin, si dhe Ukrainën dhe Moldavinë.
Duke folur në këtë drejtim, ministrja federale austriake tha se Bashkimit Evropian i mungon një pjesë e madhe që ndodhet në qendër të Evropës dhe për këtë arsye Unioni, siç tha ajo, duhet të bëjë një përpjekje për të mbyllur këtë boshllëk duke lidhur “atë që i përket njëra-tjetrës” dhe në këtë mënyrë duke rritur sigurinë e tij.
Ministrja federale austriake për Evropën, Claudia Plakolm dhe sekretarja e shtetit në MMPJ dhe Çështjeve Evropiane të Sllovenisë, Neva Grashiq në takim me ministrin e MÇE-së Orhan Murtezani. Foto: MÇE
Ministrja federale austriake për Evropën, Claudia Plakolm dhe sekretarja e shtetit në MMPJ dhe Çështjeve Evropiane të Sllovenisë, Neva Grashiq në takim me ministrin e MÇE-së Orhan Murtezani. Foto: MÇE
Ajo kujtoi se procesi i pranimit të Maqedonisë së Veriut në BE ka zgjatur për më shumë se 20 vjet dhe se vendi duhet të bëhet anëtar i Unionit.
“Sot kam lajme për ju nga Austria. Austria do të mbështesë një shumicë të kualifikuar në procesin e pranimit të vendeve të reja në BE me qëllim reduktimin e burokracisë. Kjo do të thotë që unanimiteti nuk do të jetë i nevojshëm për çdo hap teknik për secilin vend kandidat. Unanimiteti do të kërkohet për procesin përfundimtar të pranimit, por ndërkohë, marrëdhëniet e tensionuara dypalëshe do të zvogëlohen dhe vendimet mund të merren në mënyrë më neutrale”, tha Plakolm.
Siç shpjegoi ajo, kjo është një shumicë e kualifikuar për hapat teknikë, duke vënë në dukje se, megjithatë, nevojitet vullnet politik për të ringjallur këtë iniciativë.
“Është e qartë për ne se për çështje të mëdha, siç janë siguria e përbashkët dhe politika e jashtme, do të duhet të flasim me një zë, por në bisedimet e pranimit nuk duhet të ketë pengesa në hapat e ndërmjetëm me çështjet dypalëshe dhe të brendshme politike, sigurisht që duhet të ketë unanimitet për fillimin dhe fundin e procesit”, tha ministrja austriake.
Sekretarja e shtetit e Ministrisë Sllovene të Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Evropiane, Grashiq, shtoi se Sllovenia, ashtu si Austria, këmbëngul që Maqedonia e Veriut të bëhet anëtare e BE-së sa më shpejt të jetë e mundur.
Grashiq tha se zgjerimi i Unionit mbetet prioriteti i tyre, kryesisht për shkak të dinamikës gjeopolitike.
“Ne gjithashtu i kërkojmë Maqedonisë së Veriut të bëhet pjesë e BE-së deri në vitin 2030 dhe e kuptojmë zhgënjimin”, tha Grashiq, duke shtuar se vendi i saj ishte një nga ato që nisën iniciativën për të futur votimin me shumicë të kualifikuar për çështje teknike.
“Sllovenia dhe Gjermania kohët e fundit propozuan votimin me shumicë të kualifikuar për çështje teknike që lidhen me zgjerimin dhe ne duam të shohim vendet e Ballkanit Perëndimor, por edhe të tjera nga Lindja, të ecin përpara sa më shpejt të jetë e mundur, ky është kontributi ynë. Kur Sllovenia u bashkua, procesi ishte më i lehtë, me më pak acquis (harmonizim me legjislacionin evropian), tani është më i vështirë për sa i përket harmonizimit me legjislacionin e BE-së. Unioni tani është më i fortë me ligje më konkrete”, tha ajo.
Grashiq tha se Sllovenia, Gjermania, Austria dhe Italia i kishin dërguar një letër Presidentit të Këshillit Evropian, Antonio Costa, duke nisur një iniciativë për të thjeshtuar procesin e vendimmarrjes, e cila u mbështet nga 16 anëtarë.
Ajo shtoi se shtetet e tjera anëtare u ftuan të bashkoheshin me iniciativën, duke shprehur shpresën se Presidenti i Këshillit Evropian dhe udhëheqësit e shteteve anëtare do ta diskutonin çështjen.
Duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari mbi këtë temë, ministri i Çështjeve Evropiane i Maqedonisë së Veriut, Orhan Murtezani, tha se ne si “vend kemi thënë vazhdimisht se metodologjia e zgjerimit duhet të pësojë ndryshime të caktuara, jo vetëm sepse e kemi përjetuar nga afër atë aktualen”, por edhe sepse, për fat të keq, siç tha ai, po bëhet praktikë dhe jo vetëm që po dëmton interesat e vendeve kandidate, por edhe interesin strategjik të BE-së.
“Kjo është veçanërisht për shkak të faktit se e bën anëtarësimin më të vështirë dhe lë hapësirë për, relativisht, abuzim të proceseve dypalëshe të anëtarësimit. Gjeopolitika ka ndryshuar dhe duhet të vendoset një metodologji që do të mundësojë një përfundim të shpejtë të procesit në këto kushte pasigurie”, tha Murtezani.
Maqedonia me lëvizje pas zgjedhjeve lokale?
Kryeministri Hristijan Mickoski paralajmëroi se VMRO-DPMNE, do të përgatisë një rezolutë të vetën pas përfundimit të zgjedhjeve lokale. Ai nënvizoi se dokumenti i opozitës së LSDM-së përmban falsifikime historike dhe nuk mbron plotësisht interesat kombëtare maqedonase, duke theksuar nevojën për një qasje të kujdesshme dhe të bazuar në fakte për procesin e integrimit evropian.
“Këtu, ne do ta përdorim këtë rezolutë si bazë dhe përmes komisioneve parlamentare pas zgjedhjeve, do të bëjmë një rezolutë maqedonase, e cila do të synojë mbrojtjen e interesave kombëtare maqedonase. Diçka që, për fat të keq, e kemi parë në të kaluarën që nuk ekziston për LSDM-në. Më vjen keq që ky kryetar i LSDM-së, ashtu si dy paraardhësit e tij, vazhdon në atë rrugë”, tha kryeministri.
Ndërkohë, LSDM-ja, nën drejtimin e kryetarit Venko Filipçe, prezantoi projektrezolutën e saj që përcakton qëndrimet shtetërore dhe kombëtare për vazhdimin e anëtarësimit në BE, duke vendosur edhe afate për miratimin e ndryshimeve kushtetuese pa kërkesa të reja nga Bullgaria. Rezoluta synon të theksojë përkushtimin e vendit ndaj integrimit evropian dhe të përshpejtojë procesin, por përmbajtja e saj u kritikua nga opozita për interpretime të dyshimta historike dhe për mosgarancinë e mbrojtjes së interesave kombëtare.
Zhvillime rreth integrimit evropian pas zgjedhjeve lokale ka paralajmëruar edhe ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani, deklaroi se “ekziston një vendosmëri serioze nga kryeministri dhe Qeveria që menjëherë pas zgjedhjeve të ndërmerren hapa konkretë për tejkalimin e mosmarrëveshjes me Bullgarinë”.
Von der Leyen në Shkup, ndihmë apo presion?
Vizita e presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në Shkup vjen në një moment të rëndësishëm, duke sinjalizuar përkushtimin e Brukselit për të ringjallur procesin e integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimorë dhe Maqedonisë së Veriut pas një periudhe ngecjeje. Ajo pritet të ofrojë mesazhe të qarta politike dhe të nënvizojë rëndësinë e përmbushjes së reformave të kërkuara dhe zgjidhjes së mosmarrëveshjeve me Bullgarinë, duke krijuar një terren më të favorshëm për hapjen e klasterëve negociues.
Kjo vizitë shihet gjithashtu si një mundësi për të rritur presionin mbi aktorët politikë vendas që të marrin hapa konkretë pas zgjedhjeve lokale, duke harmonizuar politikën e brendshme me pritshmëritë e BE-së. Përveç mesazhit simbolik, von der Leyen mund të përdorë vizitën për të forcuar dialogun ndërpartiak dhe për të nënvizuar nevojën e një konsensusi kombëtar, në mënyrë që vendi të mos ngecë më gjatë në procesin e pranimit dhe të përshpejtojë rrugën drejt anëtarësimit të plotë në Union.
Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria që nga viti 2017 kanë një Marrëveshje për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim. Megjithatë, në nëntor 2020, Sofja vendosi veto për fillimin e negociatave të anëtarësimit të Shkupit për shkak të mosmarrëveshjeve për gjuhën, historinë dhe minoritetin bullgar.
Me ndërmjetësimin e partnerëve evropianë, u arrit një kompromis për kornizën negociuese të Maqedonisë së Veriut, e cila pranoi që në Preambulën e Kushtetutës, përveç komuniteteve ekzistuese, të shtohet edhe komuniteti bullgar. Nga ana tjetër, u ruajt formulimi i pastër për gjuhën maqedonase, ndërsa Bullgaria dha një deklaratë të njëanshme me qëndrimin e saj për këtë çështje.
Pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022, më 19 korrik 2022, Maqedonia e Veriut mbajti Konferencën e Parë Ndërqeveritare me BE-në në kuadër të procesit të anëtarësimit. Për të mbajtur të dytën dhe për të hapur kapitujt negociues, parlamenti maqedonas duhet të miratojë ndryshimet kushtetuese me të cilat bullgarët do të përfshihen në Preambulë.