Në 5 bashki të vendit mbahen sot zgjedhjet e pjesshme vendore. 334.539 mijë qytetarë me të drejtë vote do të zgjedhin kryebashkiakët e rinj në Vlorë, Berat, Cërrik, Mat e Tepelenë, ndërsa për drejtimin e këtyre bashkive janë në garë 13 kandidatë.
473 qendrat e votimit u hapën në orën 07:00 dhe qytetarët do kenë mundësi të shprehin vullnetin e tyre deri në orën 18:00, kur siç përcakton edhe Kodi Zgjedhor mbyllen qendrat e votimit.
Për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor janë angazhuar 612 policë, të cilët kanë marrë në ruajtje edhe Qendrat e Votimit. Në Vlorë, numri i qytetarëve me të drejtë vote është afro 172 mijë, në Berat mbi 82 mijë, në Cërrik afro 39 mijë, në Mat 29 mijë ndërsa në Tepelenë, 12 mijë.
Fushata zgjedhore për këto zgjedhje kaloi në heshtje, pasi kandidatët i kanë zhvilluar takimet e tyre pa protagonizëm, ndërsa dy liderët e partive kryesore, Edi Rama dhe Sali Berisha nuk morën pjesë në asnjë miting.
Në këto zgjedhje, PD e Berishës dhe aleatët nuk kanë kandidatë të regjistruar në siglën e tyre, por kanë deklaruar mbështetjen për disa emra të cilët janë shpallur si të pavarur, të cilët do të jenë përballë 5 socialistëve por edhe disa emrave të tjera.
Mandati i kryebashkiakëve të rinj do të jetë vetëm një vit e gjysmë, derisa të mbahen zgjedhjet lokale në pranverën e vitit 2027.
Zgjedhjet e pjesshme vendore, votohet në Cërrik! Probleme me pajisjen e identifikimit elektronik në një QV
Në total janë 57 qendra votimi dhe 38 724 zgjedhës. Cërriku shkoi në zgjedhje pasi Andis Salla u zgjodh ministër i Bujqësisë, ndërsa sot në garë janë 3 kandidatë: Florenc Doka (PS) Amarildo Hoxha (i pavarur, i mbështetur nga PD) dhe Eligert Hima (“Shqipëria Bëhet”).
Zgjedhjet e pjesshme vendore, vijon normalisht votimi në Tepelenë! Komisionerët e PD shkojnë me vonesë
Edhe Tepelena shkoi në zgjedhje të pjesshme, pasi Tërmet Peçi u zgjodh deputet, ndërsa për këtë bashki garojnë Gramoz Sako i PS dhe Gabriel Guma, i pavarur, i mbështetur nga PD.
Prej vitit 2011, Tepelena drejtohej nga Tërmet Peçi dhe e vetmja fitore e PD në këtë ka qenë në vitin 2007 me kandidatin Sevo Miçi.
Zgjedhjet e pjesshme vendore, nis procesi i votimit në Bashkinë e Matit
Në Mat garojnë 3 kandidatë, Altin Bojni (PS), Eduart Brahilika (i pavarur, i mbështetur nga PD) dhe Suzana Pasha, e pavarur, e shkëputur nga PS.
Edhe në Mat, Agron Malaj u zgjodh deputet, duke i lënë garën për drejtimin e bashkisë 3 kandidatëve: Altin Bojni (PS) Eduart Brahilika (i pavarur, i mbështetur nga PD) dhe Suzana Pasha E pavarur, e shkëputur nga PS.
Zgjedhjet e pjesshme vendore, votohet në Bashkinë e Vlorës, komisionerët e PD shkojnë në qendrat e votimit me vonesë
Janë 231 Qendra Votimi dhe 171.895 zgjedhës në qytetin e Vlorës.
Vlorë shkoi në zgjedhje pas dorëheqjes së Ermal Dredhës pas kritikave të Ramës. Në këtë bashki garojnë 3 kandidatë Brunilda Mersini (PS), Dionis Sota i pavarur, i mbështetur nga PD, Gjergji Nika i pavarur.
Vlora është bastion i majtë dhe në këtë bashki opozita nuk numëron asnjë fitore.
Berati shkoi në zgjedhje të pjesshme pasi Ervin Demo u zgjodh deputet, ndërsa për të marrë drejtimin e Bashkisë janë në garë Ervin Ceca (PS) dhe Pavlo Shkarpa (i pavarur, i mbështetur nga PD). Berati është një bashki që tradicionalisht është udhëhequr nga socialistët dhe prej 2019-ës në krye të saj qëndronte Demo.
Kush janë 13 kandidatët në garë për drejtimin e 5 bashkive, në Vlorë dhe Mat ‘rebelime’ në parti
Në Vlorë, gara është mes Bruna Mersinit të PS, Dionis Sotës që mbështetet nga PD dhe Gjergj Nikës, rebelit të pavarur që doli po nga radhët e demokratëve por nuk mbështet prej tyre. Në këtë bashki janë thirrur për të votuar 171 895 qytetarë.
3 kandidatë edhe në Cërrik e Mat. Florenc Doka i PS, aktualisht kryetar i komanduar i Cërrikut garon përballë dy emrave nga opozita. Mjeku Amarildo Hoxha garon i pavarur dhe mbështetet nga PD, ndërsa kriminologu i kthyer nga Italia, Eligert Hima garon nën logon e Shqipëria Bëhet. 38 724 është numri i qytetarëve me të drejtë vote.
Në Mat demokratët mbështesin si kandidat të pavarur avokatin Eduart Brahilika, ndërsa socialistët në këtë bashki, janë të ndarë. Kandidati zyrtar i tyre është Altin Bojni, i cili drejton aktualisht bashkinë, ndërsa Suzana Pasha, që drejtonte forumin e gruas socialiste në Mat, e zemëruar me partinë, kandidon si e pavarur. Numri i votuesve shkon në 29 092 qytetarë.
Në Berat, gara është mes Ervin Ceca dhe Pavlo Shkarpa, i cili garon si pavarur dhe mbështetet nga korpusi opozitar. Kjo bashki, numëron 82 161 zgjedhës.
Përballë ish kreut të Gardës Gramoz Sakos, në Tepelenë kandidon i mbështeturi nga Partia Demokratike Gabriel Guma. Aty, kanë të drejtë vote 12 667 votues.
Të pesta bashkitë që i drejtohen zgjedhjeve të 9 nëntorit janë fituar nga socialistët në zgjedhjet e kaluara lokale.