Policia e Tiranës ka prezantuar bilancin e punës për muajin maj, duke raportuar një sërë operacionesh dhe rezultatesh në luftën kundër kriminalitetit. Sipas të dhënave zyrtare, gjatë këtij muaji janë evidentuar 1,436 vepra penale, ndërsa 1,331 prej tyre janë zbuluar. Autoritetet kanë identifikuar 1,376 autorë të dyshuar, ku 247 persona janë arrestuar ose ndaluar, 1,055 po hetohen në gjendje të lirë dhe 60 të tjerë janë shpallur në kërkim. Gjatë kësaj periudhe janë finalizuar gjithsej 58 operacione policore në kryeqytet.
Mes operacioneve të veçuara nga policia ishte edhe “Stolen Line”, i zhvilluar në gjashtë faza të ndryshme, me fokus identifikimin dhe goditjen e rasteve të trafikimit në Shqipëri të automjeteve të vjedhura jashtë vendit. Si rezultat i këtij operacioni janë sekuestruar gjashtë automjete me vlera që variojnë nga 50 mijë deri në 500 mijë euro. Për secilin rast janë kryer procedime penale ndaj gjashtë shtetasve që dyshohet se kanë qenë të përfshirë në aktivitetin kriminal.
Gjatë prezantimit të bilancit, policia dha detaje edhe për një tjetër operacion të rëndësishëm, që çoi në zbulimin e dy bazave të falsifikimit të dokumenteve të identifikimit. Në kuadër të këtij operacioni janë arrestuar katër persona të dyshuar. Hetimet kanë zbuluar se në këto ambiente prodhoheshin dokumente të falsifikuara si patenta drejtimi, karta identiteti dhe pasaporta biometrike. Çmimet për sigurimin e këtyre dokumenteve ndryshonin sipas llojit dhe kompleksitetit të falsifikimit, duke nisur nga rreth 8 mijë lekë dhe duke arritur deri në 180 mijë lekë për pasaportat biometrike. Sipas policisë, një pjesë e konsiderueshme e porosive vinte nga shtetas të Kosovës, të cilët synonin t’i përdornin dokumentet e falsifikuara për të hyrë ose qëndruar në vendet e Bashkimit Evropian.
Drejtori i Policisë së Tiranës, Oliger Torba, u ndal edhe te hetimet për vrasjen e 28-vjeçarit Ardian Baloshi në Paskuqan. Ai bëri të ditur se Sadik Llanaj, i dyshuar si autor i krimit, vazhdon të jetë në kërkim. Për shkak të rrezikshmërisë së konsideruar të tij, është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe në operacionet për kapjen e tij janë përfshirë edhe forcat speciale RENEA. Sipas Torbës, deri tani janë kryer më shumë se 20 kontrolle në banesa dhe ambiente të ndryshme, bazuar në informacionet e mbledhura nga policia dhe denoncimet e qytetarëve. Ai falënderoi publikisht qytetarët për bashkëpunimin, duke theksuar se informacionet e tyre kanë qenë të vlefshme për ecurinë e hetimeve.
Nga verifikimet e kryera deri më tani, hetuesit kanë arritur të rindërtojnë itinerarin e lëvizjeve të Llanajt pas ngjarjes, duke e ndjekur atë deri në zonën e Liqenit të Bovillës. Në këtë zonë është gjetur i braktisur automjeti që dyshohet se është përdorur prej tij. Megjithatë, kontrolli i imtësishëm i mjetit nuk ka sjellë prova të reja ose sende të kundërligjshme që mund të ndihmojnë në përcaktimin e vendndodhjes së të kërkuarit. Pavarësisht kësaj, policia ka deklaruar se operacioni vijon pa ndërprerje dhe se mbetet optimiste për arrestimin e tij në një kohë të afërt.
Një pjesë e rëndësishme e konferencës iu kushtua edhe hetimeve për zhdukjen e 34-vjeçarit Eglant Koçi, një rast që autoritetet e konsiderojnë tepër sensitiv. Sipas Torbës, menjëherë pas kallëzimit të bërë nga familjarët e të riut, është ngritur një strukturë e posaçme hetimore në kuadër të Krimeve të Rënda, e cila po merret ekskluzivisht me zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe gjetjen e trupit të tij.
Policia bëri të ditur se kërkimet janë përqendruar kryesisht në zonat periferike të Tiranës, si dhe në territore pranë kufirit administrativ me qarkun e Elbasanit. Për shkak të kompleksitetit të operacionit, në ndihmë të forcave shqiptare janë angazhuar edhe Forcat e Sigurisë së Kosovës. Sipas autoriteteve, janë kontrolluar një numër i madh zonash që konsideroheshin me interes hetimor dhe ku ekzistonin dyshime se mund të gjendeshin prova ose gjurmë të rëndësishme për rastin. Megjithatë, deri tani kërkimet nuk kanë dhënë rezultat konkret dhe trupi i 34-vjeçarit nuk është gjetur.
Ndërkohë, në qendër të hetimeve mbetet Armand Shakaj, i shpallur në kërkim si autor i dyshuar në këtë çështje. Sipas dyshimeve të hetuesve, ai ka përdorur një karrotrec për të transportuar automjetin e tij drejt zonës së Ibës. Autoritetet dyshojnë se në automjet mund të ketë qenë edhe trupi i Eglant Koçit. Hetuesit vlerësojnë se përdorimi i karrotrecit është bërë me qëllim shmangien e kontrolleve rutinë policore dhe për të mos tërhequr vëmendjen gjatë lëvizjes së mjetit në rrugë.
Burime pranë grupit hetimor kanë bërë me dije se Shakaj ka ndryshuar të paktën gjashtë numra telefoni në ditët e fundit. Sipas tyre, kjo lëvizje konsiderohet një përpjekje e vazhdueshme për t’iu shmangur gjurmimit teknik dhe lokalizimit nga strukturat ligjzbatuese. Hetimet dhe kërkimet për lokalizimin e tij vazhdojnë, ndërsa autoritetet po analizojnë të gjitha informacionet dhe provat e mbledhura deri tani për të zbardhur plotësisht ngjarjen.