Një fqinj i Fatos Cenajt në Itali është nën hetim nga autoritetet italiane në lidhje me vrasjen e 58-vjeçarit shqiptar, ngjarje e ndodhur në muajin qershor të këtij viti.
Sipas mediave italiane, shkak i vrasjes dyshohet të ketë qenë debati për kufirin mes pronave të tyre.
Autoritetet italiane po hetojnë për vrasje të qëllimshme një burrë italian, fqinj i viktimës, i cili dyshohet se e ka planifikuar dhe ekzekutuar krimin.
Hetuesit kanë sekuestruar prova të rëndësishme, përfshirë pamje nga kamerat e sigurisë në zonë, të cilat mendohet se kanë ndihmuar në identifikimin e autorit të dyshuar. Gjithashtu, banesa e tij është kontrolluar nga karabinierët si pjesë e hetimeve në vijim.
Sipas versionit paraprak të hetuesve, mëngjesin e 8 qershorit, i dyshuari është fshehur mes pemëve, disa qindra metra larg fermës Dindo, vendi ku Cenaj bashkëpunonte, dhe ka pritur që ai të kalonte.
Në momentin që e ka pare shqiptarin, autori qëlloi me armë zjarri, duke e goditur nga pas, në zonën e veshit.
Fatos Cenaj humbi jetën disa ditë më vonë në spital, për shkak të plagës së rëndë.