Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka nisur një hetim paraprak për të verifikuar nëse ndonjë pjesëtar i Policisë së Kosovës ka pasur përfshirje apo lëshime në veprimtarinë kriminale të një personi të shpallur në kërkim për vrasjen e trefishtë në Gjilan.
Bazuar në autorizimet ligjore dhe për të ruajtur integritetin e hetimeve, IPK-ja i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e katër zyrtarëve policorë të Drejtorisë Rajonale në Gjilan.
Sipas njoftimit, janë suspenduar: “Një rreshter policor dhe një hetues nga Njësia e Hetimeve Rajonale në Gjilan, një rreshter policor që mban pozitën e shefit të hetimeve në Stacionin Policor të Novobërdës, një zyrtar policor nga Njësia e Reagimit të Shpejtë në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan”.
Hetimi po zhvillohet në bashkëpunim me Kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Gjilan dhe është ende në fazat fillestare.
Aktualisht janë duke u mbledhur prova materiale, deklarata të dëshmitarëve dhe po kryhen veprime të tjera procedurale.
IPK ka bërë të ditur se hetimet kanë për qëllim të qartësojnë çdo dyshim për përfshirje të mundshme në veprimtari të kundërligjshme me elemente të veprës penale./IndeksOnline/