Vetëm disa ditë para zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, te rrethrrotullimi në hyrje të Mitrovicës së Veriut, Lëvizja Vetëvendosje ka vendosur emrin e ish-kryeministrit serb, Zoran Gjingjiq, në një rrugë, shkruan Demokracia.com.
Zoran Gjingjiq njihet për qëndrimet e tij të ashpra kundër Kosovës dhe, veçanërisht, kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në një intervistë për gazetën “tageszeitung”, të cilën e kishte cituar edhe mediumi austriak “Der Standard”, ai kishte thënë se “terrorizmi shqiptar është kërcënim për gjithë rajonin”.
“Terrorizmi shqiptar është një sëmundje”, kishte deklaruar Zoran Gjingjiq më 12 mars 2001.
Madje, ai kishte akuzuar bashkësinë ndërkombëtare se, në vend që krerët e UÇK-së të dërgoheshin në Hagë, kishin zgjedhur të bashkëpunonin me ta.
Këtu ai kishte përmendur veçanërisht Hashim Thaçin, të cilin e kishte cilësuar si lider të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Gjingjiq akuzoi bashkësinë ndërkombëtare se nuk u angazhua në negociata serioze me këta individë, në vend që t’i fuste ata në listën e kriminelëve të luftës në Hagë. Në këtë kontekst, ai përmendi Hashim Thaçin, udhëheqësin e ish-ushtrisë së shqiptarëve të Kosovës, UÇK-së”, thuhet në gazetën “tageszeitung”.