Deputeti i Vetëvendosjes, Egzon Azemi dhe zëdhënësi i Lëvizjes VV-së, Arlind Manxhuka u shpallën fajtorë për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit, duke u dënuar secili veç e veç me nga një vit e gjashtë muaj burgim.
Qerim Elshani dhe Edi Zenelaj u shpallën fajtorë për veprën penale “kanosje”, dhe u dënuan secili veç e veç me nga gjashtë muaj burgim.
Shpallja e aktgjykimit u bë nga trupi gjykues në përbërje: Kushtrim Shyti, kryetar i kolegjit, si dhe anëtarët Violeta Namani dhe Avi Syla.
Palët kanë të drejtë ankese brenda 30 ditësh nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në shpallje ishte i pranishëm Edi Zenelaj, si dhe mbrojtëset: avokatja Teutë Xhema, për Egzon Azemin, dhe avokatja Valentina Shabani, për Arlind Manxhukën.
Ndërkaq, munguan të akuzuarit Egzon Azemi, Arlind Manxhuka dhe Qerim Elshani, si dhe prokurorja speciale, Fikrije Fejzullahu.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 7 mars 2025, kishte shpallur aktgjykim me të cilin kishte liruar nga akuza Arlind Manxhukën, ndërsa Egzon Azemin, Qerim Elshanin dhe Edi Zenelaj i kishte dënuar me nga 6 muaj burgim. Por, Gjykata e Apelit më 27 tetor 2025 e ktheu rastin në rigjykim.
Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 8 nëntor 2023 ka ngritur aktakuzë ndaj Arlind Manxhukës, Egzon Azemit, Qerim Elshanit dhe Edi Zenelajt, të cilët ngarkohen se kanë kryer veprën penale “Kanosja” dhe “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”.
Sipas aktakuzës, Manxhuka dhe Azemi ngarkohen për veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”, ndërkaq Elshani dhe Zenalaj akuzohen për “Kanosje”. Të njëjti po akuzohen se me dashje kanë kanosur të dëmtuarit, gjykatësin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special Mentor Bajraktari dhe prokurorin special Afrim Shefkiu.