Zëvendës-ministrja e Mbrojtjes së Maqedonisë së Veriut, Elfete Ismaili, dha dorëheqje të parevokueshme nga ky funksion. Të njëjtën gjë bëri edhe zëvendës ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave Flakron Bexheti. Këto dorëheqje vijnë pas largimit të ASH-së nga qeveria, nga radhët e të cilës vjen edhe Ismaili, transmeton Portalb.mk.
“Sot dorëzova dorëheqjen time të parevokueshme nga detyra e Zëvendës Ministres së Mbrojtjes të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Gjatë ushtrimit të këtij funksioni kam qenë e udhëhequr nga përkushtimi institucional, transparenca dhe përgjegjësia ndaj qytetarëve dhe interesit shtetëror. Dorëheqja ime është rezultat i një vlerësimi të thelluar personal dhe profesional, duke besuar se ky është një hap i nevojshëm dhe në përputhje me bindjet e mia. Dua të shpreh mirënjohjen time për Kryeministrin z. Hristijan Mickoski për besimin dhe mundësinë për të qenë pjesë e një ekipi që ka bartur përgjegjësi të rëndësishme në një periudhë të ndjeshme për mbrojtjen dhe sigurinë e vendit. Gjithashtu, një falënderim i veçantë shkon për Kryetarin e Aleancës për Shqiptarët, z. Arben Taravari, për mbështetjen dhe besimin që më dha për të përfaqësuar denjësisht partinë dhe shoqërin tonë në këtë funksion të lartë”, shkroi Ismaili në Facebook.
Nga ana tjetër, Bexheti pas dorëheqjes deklaroi se ky funksion ishte një periudhë 10 mujore përkushtimi, përgjegjësie, duke shtuar se me dinjitet, transparencë, seriozitet sado pak ka kontribuar në këtë pozicion për të mirën e përgjithshme.
“Kjo detyrë më mundësoi të njoh njerëz të mirë mbi të gjitha bujq dhe blegtor, njerëz të thjeshtë por me zemër të pastër të cilëve sado pak besoj ju kam qëndruar afër gjatë ushtrimit të detyrës sime. Faleminderit kryeministrit, ministrit të Bujqësisë, kabinetit qeveritar, kolegëve dhe bashkëpunëtorëve të mi për bashkëpunimin korrekt dhe të ndërsjellë. Faleminderit edhe kryetarit tim Arben Taravari dhe organeve partiake të ASH për mbështetjen dhe besimin e dhënë, mendoj se në asnjë moment nuk i kam zhgënjyer me punën time duke dashur ta afirmoj rolin e subjektit që përfaqësoj. Faleminderit familjes sime, që si gjithmonë edhe kësaj radhe më kanë mbështetur për respektimin e vendimit tim personal i bazuar në atë kolegjial. Ndihem krenar me çdo ditë të punës sime, ballëlartë e plot energji përgjegjesi për të vazhduar më tej në çdo sfidë”, shkroi Bexheti.
Javën e kaluar dorëheqje nga funksioni i ministrit të Shëndetësisë dha edhe Arben Taravari.
Kujtojmë se turbulencat në koalicionin VLEN dhe në Qeveri u shkaktuan nga krahu i Aleancës për Shqiptarët në partnerin qeveritar VLEN, kur kjo e fundit vendosi të dilte me listat e veta të këshilltarëve në zgjedhjet lokale në tetor.
Një gjë e tillë nuk u pranua nga partnerët e tij të koalicionit në VLEN. Kjo u pasua nga largimi i Taravarit nga koalicioni VLEN, dhe në publik lindën spekulime se ai po negocionte me kreun e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti.