Pas përfundimit të procesit të vlerësimit nga komisioni përkatës, janë shpallur përfituesit e thirrjes publike për mbështetje financiare të shoqatave dhe fondacioneve në kuadër të Programit të Ministrisë së Marrëdhënieve Ndërmjet Bashkësive.
Lajmin e bëri të ditur zëvendëskryeministri Arben Fetai, i cili theksoi rëndësinë e këtij programi si një mekanizëm për forcimin e partneritetit ndërmjet qeverisë dhe sektorit civil. Ai e cilësoi këtë si një faktor kyç për zhvillimin demokratik, politikëbërjen gjithëpërfshirëse dhe ndërtimin e një shoqërie të qëndrueshme.
“Jam veçanërisht i lumtur dhe krenar që mes organizatave përfituese është edhe Shoqëria Kulturore ‘Jeta e Re’ nga Sllupçani, e cila me përkushtimin dhe energjinë e të rinjve të saj mban gjallë traditën dhe shpirtin kulturor në rajonin e Likovës,” u shpreh Fetai.
Ai uroi të gjithë përfituesit për sukseset e tyre dhe shprehu besimin se projektet që do të realizohen me këto grante do të pasurojnë më tej jetën kulturore, sociale dhe demokratike të vendit.