Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi, në një konferencë për mediat, përcolli informacionet më të fundit nga situata në të gjitha qendrat e votimit në të gjithë vendin. Ai tha se ka pasur vonesa në 8% të qendrave të votimit, ku në 5% prej tyre rezulton se nuk kanë qenë të pranishëm të 7 anëtarët.
Në disa prej tyre ka pasur edhe për tensione në momentin e hapjes. Aktualisht, tha ai, të gjitha qendrat janë të hapura dhe nuk ka asnjë të bllokuar.
“Nuk kemi asnjë qendër të votimi të pahapur apo të bllokuar. Janë 8% e qendrave që janë hapur me vonesë, ndërmjet orës 7 deri në orën 8. Për 5% të qendrave të votimit, rezulton se nuk kanë qenë të pranishëm të 7 anëtarët. Vlen të theksohet se në momentin kur procesi i votimit është hapur, kanë qenë prezentë vëzhgues të ndryshëm. 5% të QV kemi pasur raportime për tensione në momentin e hapjes ndërmjet anëtarëve, që kanë shkaktuar vonesa. Ka ndërhyrë KQZ dhe situata është stabilizuar.”, u shpreh Celibashi.
Celibashi tha se në 5% të qendrave të votimit ka pasur raportime për mosrespektim të distancës prej 150 m të individëve që kanë përfunduar procesin e votimit. Sa i përket identifikimit elektronik, në katër qendra, nuk ka operatorë. Gjithashtu Celibashi tha se ka pasur raportime edhe për prezencë të kandidatëve politikë nëpër qendrat e votimit, ndërsa apeloi që të shmangin incidente të tilla.
“Kemi një raportim që lidhet me personat me aftësi të kufizuara, janë rreth 21% të rasteve. Nuk janë asistuar sipas procedurave të Kodit Zgjedhor. Pasi ka filluar procesi, kemi patur 6% të QV ndërprerje të procesit për arsye logjistike, por situata më pas është normalizuar. Kemi një raportim që në 5% të QV kemi një mosrespektim të distancës prej 150 m, të individëve që kanë përfunduar procesin e votimit.
Ka një raportim për një rast ku pretendohet për presion të zgjedhësve. Patëm disa raportime dhe nga stafi ynë në teren dhe nga përfaqësuesve politik të të dy krahëve, disa prej tyre mbi prezencë të kandidatëve për deputetë pranë qendrave të votimit. Dikush edhe padijeni të këtij ndalimi ligjor, ka dashur të vazhdojë procesin zgjedhor, për këtë arsye adresuam thirrjet publike. Kandidatët për deputetë s’mund të jenë vëzhgues. E kanë këtë të drejtë gjatë procesit të numërimit.”, u shpreh Celibashi.
“Sa i përket shtyrjes së orarit të votimit. Po kemi marrë një kërkesë, në fakt është kompetencë e Komisionit Rregullator për të vendosur mbi këtë kërkesë. Nëse ata vlerësojnë se ka vend për të disponuar me një mënyrë apo me një tjetër për të disponuar mbi këtë kërkesë e vendosin ata. Kodi përcakton qartë. Nëse në momentin që qendra e votimit është duke u mbyllur, qendra nuk mbyllet deri kur të mbaroje qytetari i fundit”, tha ai.