Profesori i të drejtës ndërkombëtare, Dritëro Arifi, ka deklaruar se në situatën aktuale të vendit, zgjedhjet e jashtëzakonshme janë të paevitueshme.
Në emisionin “Info Magazine” në Klan Kosova, ai ka thënë se edhe Glauk Konjufca, nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, do të duhej të hetohej nga ndonjë prokuror për shkak të deklaratave që sot i tha në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të LVV-së.
“Zgjedhjet e jashtëzakonshme janë të paevitueshme për fat të keq sepse narracioni si është ndërtuar në shoqëri, është një narracion patriotë dhe tradhtarë, një gjuhë shumë primitive. Sepse për mua më shumë me rëndësi është ata që janë të aftë të punojnë dhe ata që nuk janë të aftë të punojnë. Në Kosovë nuk besoj se ka mundësi dikush të bëjë tradhti shumë të mëdha, edhe me dashtë”.
“Nëse flasim për parim, atëherë nuk do të duhej që Zotëri Basha ti pranonte votat e PDK-së dhe AAK-së sepse ata janë edhe kriminelë edhe tradhtarë. Këtu për fat të keq nuk kemi as opozitë dhe as prokuror, sepse sot për atë çka foli Konjufca do të duhej prokurori të shkonte ti kërkonte informata se kush janë ata tradhtarë. Kur i thua dikujt tradhtarë nuk ka më debat normal, ai debat ka përfunduar më”, ka thënë Arifi.