Moti me shi dhe temperaturat e ulëta, duket se ka ndikuar në mospjesmarrjen e votuesve në këto zgjedhje.
Tepelena dhe Vlora ku janë duke u mbajtur zgjedhjet janë përfshirë, pasditen e sotme nga rebeshe shiu duke vështirësuar edhe qarkullimin e mjeteve në rrugët e qytetit dhe duke bërë që votuesit të mos dalin për të votuar.
Ndërkohë, drejtuesja politike e Qarkut Gjirokastër, Mirela Kumbaro, ka bërë një deklaratë për mediat ku ka folur lidhur me pjesëmarrjen e qytetarëve në zgjedhjet e pjesshme që po mbahen në 5 bashki.
Në një prononcim për mediat Kumbaro tha se deri më tani në Tepelenë ka patur pjesëmarrje të kënaqshme dhe më të mirë krahasuar me të njëjtin orar të zgjedhjeve të majit me 3110 votues deri tani.
Ajo theksoi se moti me shi është pengesë për qytetarët, pasi vështirëson lëvizjen e tyre.
“Çdo gjë ka rrjedhur normalisht, nuk kemi pasur probleme. Le të themi se duke pasur parasysh edhe kohën, që për ne shiu është bereqet, por ndoshta e vështirëson pak lëvizjen e njerëzve. Ecuria e pjesëmarrjes ka qenë mjaft e mirë krahasuar me të njëjtin orar në të njëjtën kohë me zgjedhjet e 11 majit 2025 apo zgjedhjet e tjera vendore të 2023.”, tha Kumbaro.
CËRRIK/ Vijon procesi zgjedhor, kandidati Hima: Po intimidohen qytetarët! Policia e përgënjeshtron
“Kam një mesazh për banorët e bashkisë Cërrik, të dalin të votojnë sepse vota është i vetmi mjet që mund të bëjmë këtë bashki me punë. I ftoj të votojnë masivisht”, tha Hima.
“I bëj thirrje qytetarëve të Cërrikut të votojnë masivisht, sepse është e drejta e tyre. Kushdo qoftë që të fitojë, uroj t’i shërbejë Cërrikut sepse bashkia nuk është politikë, por shërbim”, tha Amarildo Hoxha.
“I ftoj të gjithë qytetarët të dalin në zgjedhje, ta shfrytëzojnë kohën e mirë për të votuar. Procesi po shkon normal, dhe pastaj të dalin rezultatet dhe t’i rikthehemi normalitetit. Ka një trend në ulje, por shpresojmë që qytetarët të dalin masivisht në zgjedhje”, tha Doka.
Hima ka pretenduar se persona të paautorizuar në Cerrik po qëndrojnë jashtë qëndrave të votimit për të intimiduar votuesit.
‘Duhet të largohen të gjithë personat që rrinë përballë qendrave të votimit dhe që nuk kanë asnjë lloj funksioni. I bëj thirrje Policisë së Shtetit të marrë masa për të mos intimiduar votuesit, dhe vota duhet të jetë e lirë dhe me dëshirë. Dhe jo me ndërhyrje apo me favore që janë bërë nga drejtorët, nga përgjegjësit apo nga çdo punonjës i administratës. Duam votë të lirë në. Kam bërë një xhiro personalisht sot në qendrat e votimit, dhe në çdo hyrje të qendrave të votimit kam konstatuar se kanë qenë persona që nuk kanë asnjë lloj funksioni, që rrinë dhe intimidojnë votuesit”, tha ai.
Por, ku pretendim u përgënjeshtrua nga Policia e Shtetit, e cila thotë se nuk është konstatuar asnjë problematikë.
“Në lidhje me pretendimet e njërit prej kandidatëve për zgjedhjet vendore, se pranë gjimnazit “Tomorr Sinani” në qytetin e Cërrikut ndodheshin persona që po intimidonin qytetarët, shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në adresën e dhënë.
Nga verifikimet e kryera, nuk janë konstatuar shtetas në afërsi, apo pranë gjimnazit “Tomorr Sinani” në qytetin e Cërrikut. Gjithashtu, nuk ka patur persona të paautorizuar të grumbulluar jashtë Qendrave të Votimit dhe nuk është konstatuar asnjë problematikë”, njoftoi Policia.
Në Selvias është shënuar një incident. Dy komisionerë kanë shkuar në KZAZ në Selvias për një rast të raportuar nga një vëzhgues i Shqipëria Bëhet pasi ka filmuar tre persona të të njëjtës familje, të cilët ndodheshin duke pritur në radhë për të votuar (jo votim familjar). Informacioni është dhënë nga KZAZ.
Cërriku shkoi në zgjedhje pasi Andis Salla u zgjodh ministër i Bujqësisë. Në këtë bashki janë 57 qendra votimi ndërsa të drejtën e votës e kanë 38.724 zgjedhës.
ZGJEDHJET/ Deri në 17:00 votuan 18.55% e qytetarëve! Mati numrin më të lartë të pjesëmarrjes, Vlora më të ulët! Më të interesuar për të votuar grupmosha plus 65 vjeç
Mati ndiqet nga Tepelena ku kanë votuar 32.21% e zgjedhësve, ndërsa në Cërrik pjesëmarrja është 23.49%, në Berat 19.84%.
Nga të dhënat e ndara nga KQZ, pjesa më e madhe e qytetarëve që kanë marrë pjesë në votim i përkasin grumpmoshës plus 65. Vihet re një interes i ulët i të rinjve për të votuar.
TEPELENË/ Procesi i votimit pa probleme, kandidati i pavarur, Guma shfaqet me bebin në krah
Një detaj që ra në sy ishte mënyra e votimit të 26-vjeçarit Guma, i cili u pa në qendrën e votimit bashkë me bashkëshorten dhe bebin në krah.
“I bëj thirrje të gjithë tepelenasve që të dalin të votojnë masivisht. Të dalin dhe të bëjnë zgjedhjen e duhur”, tha Guma.
“U bëj thirrje banorëve të dalin masivisht në votime dhe të shprehin vullnetin e tyre të lirë”, tha Sako.
Në Tepelenë janë 21 Qendra Votimi dhe rreth 12 mijë qytetarë me të drejtë vote. Kjo bashki shkoi në zgjedhje të pjesshme, pasi Tërmet Peçi u zgjodh deputet.
Prej vitit 2011, Tepelena drejtohej nga Tërmet Peçi dhe e vetmja fitore e PD në këtë ka qenë në vitin 2007 me kandidatin Sevo Miçi.
BERAT/ Vijon normalisht procesi i votimit, voton kandidati i pavarur dhe ai i PS-së: Thirrje qytetarëve për pjesëmarrje
Të drejtën për të votuar e kanë ushtruar dhe dy kandidatët. Ceca në një prononcim për media i bëri thirrje qytetarëve për pjesëmarrje masive.
“I bëj thirrje të gjithë qytetarëve t’i bashkohen të këtij procesi. Jam i bindur që do të bëjnë zgjedhjen e duhur. Besoj që do të jemi në të njëjtat shifra në të njëjtat situatë”, tha Ceca.
Berati shkoi në zgjedhje të pjesshme pasi Ervin Demo u zgjodh deputet, ndërsa për të marrë drejtimin e Bashkisë janë në garë Ervin Ceca (PS) dhe Pavlo Shkarpa (i pavarur, i mbështetur nga PD). Berati është një bashki që tradicionalisht është udhëhequr nga socialistët dhe prej 2019-ës në krye të saj qëndronte Demo.
VLORË/ Vijon pa probleme votimi, 3 kandidatët thirrje qytetarëve të votojnë! Gjergji Nika akuza patronazhistëve
“Kam programin më të mirë, dhe jam një djalë që jam lindur e rritur në këtë lagje dhe jam një djalë jo vetëm që e dua me shpirt, por e kam marrë aromën e këtij qyteti qëkur kam lindur. Jam idealist i vërtetë dhe këtë e them me shpirt”, tha Sota.
“Është një ditë e shënuar jo vetëm për mua që kandidatoj si e para grua në siglën e PS, një grua që ndjek ritmin e qytetit që njeh njerëzit e qytetit dhe ka përkushtimin ndaj njerëzve.
Gjergji Nika denoncoi sipas tij patronazhistët që po detyrojnë punonjësit e administratës së Vlorës për të dalë dhe për të votuar.
“Kam informacionet e mija që patronazhistët pas orës 1 ore 2, që po patronazhojnë votën nëpërmjet punësimit, duan që t’i nxjerrin ata të administratës për të votuar me dhunë psikologjike. Unë kam hyrë për të fituar, pavarësisht presioneve politike. Presionet kanë ardhur nga të dyja palët”, tha Gjergji Nika.
Janë 231 Qendra Votimi dhe 171.895 zgjedhës në qytetin e Vlorës. Vlora është bastion i majtë dhe në këtë bashki opozita nuk numëron asnjë fitore. Vlorë shkoi në zgjedhje pas dorëheqjes së Ermal Dredhës pas kritikave të Ramës.
MAT/ Bashkia me pjesëmarrjen më të lartë të zgjedhësve! Votojnë 3 kandidatët, thirrje për qytetarët: Dilni dhe votoni
Të tre kandidatët pas ushtrimit të së drejtës për të votuar, i kanë bërë thirrje qytetarëve për pjesëmarrje në proces.
“Sot është një ditë e rëndësishme. Është dita e fjalës së qytetarëve. Ju ftoj të dilni të gjithë në votime me qetësi dhe me dinjitet”, tha Bojni.
“Mesazhi im është për një ndryshim të mënyrës sesi është qeverisur bashkia e Matit. Dilni nga shtëpia dhe votoni për ndryshimin. Shqipëria po tkurret çdo ditë, po braktiset çdo ditë. Nuk është faji im si kandidat sot për është faji i një keqqeverisje 13 vjeçare. Në këtë garë kam marrë të gjitha masat që qytetarët e Matit të votojnë të lirë. Komisionerë në qendra votimi dhe punonjës të administratës janë gjithmonë problem. Edhe unë kam qenë prezent dhe kam konstatuar. Unë kam indicie dhe tani të shohim”, tha Brahilika.
“U kam kërkuar mbështetjen derë për derë, jam krejt e qetë, vota është e lirë. E shoh që procesi është i qetë, i lirë. Mendoj të jetë dhe i barabartë. U bëftë më e mira, fitoftë më i miri. Unë në këtë fushatë kam qenë pothuajse e vetme. Probleme kam hasur, por lej organet ligjzbatuese të përgjigjen.
Jo nuk ka pasur kërcënime. Zgjidhja ime ka qenë e lirë dhe prandaj jam kandidate e lirë. Unë do të vijoj të jem socialiste se është partia ime e zemrës. Ata menduan që të ishte ajo zgjedhje, unë mendova që duhet të isha unë zgjedhja dhe prandaj kandidova si e lirë” ,tha Pasha.
Edhe në Mat, Agron Malaj u zgjodh deputet, duke i lënë garën për drejtimin e bashkisë 3 kandidatëve: Altin Bojni (PS) Eduart Brahilika (i pavarur, i mbështetur nga PD) dhe Suzana Pasha E pavarur, e shkëputur nga PS.
Qytetarët indiferentë për zgjedhjet/ Vlonjatët: Pse të votojmë, nuk fitojmë gjë! Beratasit: Rrjeti urban, problem! Matjanët: S’kemi pritshmëri
Madje disa prej tyre thonë për mikrofonin e Report Tv që nuk do të votojnë. Më të zhgënjyerit duken vlonjatët, që kanë edhe pjesëmarrjen më të ulët në votime.
“S’kam votuar, pse do të votoj. Kam 30 vjet që votoj dhe asnjë përfitim nuk kam. Fitimi është që ne të votojmë për pushtetin popullor edhe ai të na shërbejë. Kam punuar 36 vite në kohën e Enverit dhe marr 180 mijë lekë të vjetra pension. A mund të jetoj me kaq që paguaj ujë, drita, ilaçe. Pse duhet t’i kërkoj lekë fëmijëve kur unë kam punuar dhe nuk ushqej dot veten time”, tha i moshuari për Report Tv.
“Jo, nuk kam votuar. Edhe të votoj edhe jo ata i vjedhin votat. Vlora ka shumë probleme. Unë kërkoj që pensionet të ngrihen”, tha një e moshuar.
“S’ka interes për votim. Vlorës i duhet një dorë e fortë, këta punojnë për vete. Vlora ka shumë mangësi”, u shpreh një qytetar.
“S’kam votuar akoma. Qyteti ka shumë probleme, duke filluar që nga pastrimi”, tha një tjetër.
Qytetarët e Beratit problemet që listojnë nisin nga transporti publik dhe papunësia.
“Të punojnë më shumë, sa ka punuar ai i pari. Kërkesat tona janë te pensionistët, te pronat”, tha një qytetar.
“As dua ta di fare, vetëm do të votoj”, u shpreh një tjetër.
“Rrjeti urban (autobusët) duhet të jenë më të shpeshtë, sidomos gjatë pasdites”, tha qytetari.
“Transporti urban është shumë i keq, duhet të presim 1 orë. Shpresoj të bëhet me mira”, tha një qytetare.
Ndërkohë të tjerët thonë se për të rinjtë nuk ka punë, teksa vënë në dukje edhe ankesat veçanërisht nga turistët për pastërtinë.
“Ka nevojë për punë, shumë të rinj janë pa punë”, u shpreh qytetarja.
“Të dy këta kandidatë janë kot fare, nuk lëvizim nga komunizmi ne”, tha një qytetar.
“Jo se po votojmë, dhe do kemi ndonjë ndryshim. Nuk ka ndonjë dritë jeshile, çdo turist që vjen ankohet për pastërtinë”, u shpreh një tjetër.
Edhe banorët e Matit shprehen po ashtu të zhgënyjer dhe të pakënaqur. Madje ata i cilësojnë zgjedhjet ‘koti’ dhe nuk kanë asnjë shpresë për ndonjë përmirësim.
“S’ kam votuar, krejt janë hajdutë, nuk kam asnjë shpresë, ata janë misionar për ta shkatërruar vendin”, tha një qytetar.
“Mati ka nevojë për punë”, tha një tjetër.
“Janë zgjedhje koti, për çdo vit duke votuar dhe ne duke u shkatërruar. Me 160 mijë lekë në muaj për çfarë të votoj. Nuk pres asnjë gjë, e kam humbur shpresën”, u shpreh një pensionist.