“Lamtumirë Dhimitër Anagnosti, regjisori i jetës sonë! Pas një lëngimi të gjatë iu binde ligjit të jetës”, me ketë njoftim të shkurtër në rrjetet sociale, e bija, Juna, njoftoi ndarjen nga jeta të babait të saj, regjisorit të madh Dhimitër Anagnosti.
I ftuar në studion e lajmeve në “Ora news”, ishte një nga protagonistët e filmave të tij, aktori Myzaferr Zifla për të folur për këtë trashëgimi të vyer të këtij regjisori të jashtëzakonshëm të kinematografisë shqiptare.
” Një humbje shumë e madhe për artin në Shqipëri, sidomos për kinematografinë por edhe për dramaturgji sepse Anagnosti ishte jo vetëm regjisori më i mirë për mua, por nga më të mirët. Ka qenë dhe një skenarist i jashtëzakonshëm dhe veç kësaj ka bërë dhe një libër. Ka qenë dhe drejtor fotografie sepse ka mbaruar në Moskë. Një personalitet i artit shqiptar.
Humbja është shumë e madhe, sidomos për ne që kemi bashkëpunuar dhe që na ka mësuar sesi bëhet kinemaja ose interpretimi, si një aktor mund të luaj në një film.
Unë e kam pasur këtë fat, që filmi i dytë i imi në 1985 ka qenë me Anagnostin”, u shpreh ndër të tjera Zifla.