Zjarri në Finiq, Vengu: Aktualisht situata paraqitet në kontroll! Vatra aktive edhe në Bulqizë, Mat, Himarë e Tepelenë
Situata kritike nga zjarret në fshatrat e Finiqit ka vazhduar gjatë natës, kryesisht në Velahovë, Livinë, Ardhasovë, Bistricë e Krongj. Evakuime të përkohshme u kryen në Livinë dhe Ardhasovë, ndërsa i pranishëm në terren ishte edhe ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu.
Era e fortë favorizoi përhapjen e flakëve, ndërsa për t’i shuar janë angazhuar forcat zjarrfikëse nga disa bashki, ato të Finiqit, Delvinës, Konispolit e Sarandës. Asistencë mjekësore iu ofrua gjithashtu edhe të moshuarve.
Ministri Vengu bën me dije se në orët e para të mëngjesit, u realizua një operacion i suksesshëm për të parandaluar përhapjen e flakëve që rrezikonin Hidrocentralin e Bistricës, ndërsa është ndërhyrë edhe nga ajri.
Në një intervistë për Report TV, ministri Vengu tha se gjatë orëve të para të mëngjesit u ndërhy me helikopter nga ajri, dhe se situata është më në kontroll. Pritet gjithashtu që të ndërhyhet edhe me një avion Canadair nga Mekanizmi Mbrojtjes i BE-së.
Për arsye sigurie është kufizuar gjithashtu qarkullimi edhe në aksin Muzinë – Bistricë. Sipas ministrit, kufizimi do të vijojë deri në përfundim të operacionit. Ndërkohë, forcat operacionale vijojnë punën në terren për të kontrolluar çdo hapësirë që mund të riaktivizohet nga era dhe temperaturat e larta që pritet të mbizotërojnë në orët në vijim.
Vatra aktive zjarri, bëri me dije ministri, janë edhe në Mat, Bulqizë, Bolenë të Himarës si edhe në Tepelenë.
Situatë e rëndë nga zjarri gjatë natës në Livinë të Finiqit, ministri Vengu i pranishëm
Në Livinë të Finiqit situata është e paraqitur e rëndë nga zjarret. Mbrëmjen e së shtunës ishte i pranishëm në terren edhe ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu.
Zjarri ka prekur disa fshatra të Finiqit.