Rreth 17,000 persona janë larguar nga shtëpitë e tyre në provincën kanadeze të Manitobës, për shkak të zjarreve të mëdha që po përhapen me shpejtësi në disa zona të vendit. Në zonat më të izoluara, është dashur ndërhyrja e avionëve ushtarakë dhe helikopterëve për të evakuuar banorët, ndërkohë që zjarrfikësit po përballen me flakë gjithnjë e më të fuqishme. Temperaturat e larta dhe moti i thatë pritet të vazhdojnë edhe për disa ditë, duke përkeqësuar situatën.
Tymi i dendur nga më shumë se 188 vatra zjarri, sipas autoriteteve, është përhapur në të gjithë territorin kanadez dhe ka arritur edhe në disa rajone të Shteteve të Bashkuara. Provincat Saskatcheuan dhe Manitoba kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme për të paktën një muaj dhe kanë kërkuar ndihmë nga vende të tjera për të përballuar situatën. Në Saskatcheuan, aktualisht janë 17 zjarre aktive, nga të cilat tetë janë jashtë kontrollit. Qendra Kanadeze për Koordinimin e Zjarreve Pyjore (CIFFC) ka vlerësuar se kushtet në atë zonë janë ekstreme. Kryeministri i Saskatcheuan, Scott Moe, deklaroi në një konferencë për shtyp se numri i të evakuuarve, që tani është rreth 8,000, mund të rritet në 10,000 nëse moti i thatë vazhdon.
“Këto katër deri në shtatë ditët e ardhshme janë vendimtare. Na duhet një ndryshim i modeleve të motit dhe shpresojmë për reshje të mëdha shiu në pjesën veriore të vendit,” u shpreh Moe.
Evakuime të detyruara janë urdhëruar gjithashtu edhe në pjesë të mëdha të provincave Alberta dhe Kolumbia Britanike. Për të shpëtuar banorët nga komunitetet veriore të Manitobës, janë angazhuar Forcat e Armatosura Kanadeze, Shërbimi i Zjarreve në Natyrë i Manitobës dhe ekipi i shpëtimit urban të specializuar, duke përdorur mjete ajrore për transportin e tyre drejt vendeve më të sigurta.