Prindon Sadriu që u është vërsulur të gjithë kritikëve në rrjetin social Facebook për xhipat e zinj, me t’u bërë Zotëri i Parë në vitin 2021, kishte bërë një kërkesë të pazakontë ndaj shtetit.
I kishte shkruar ministrit të Brendshëm Xhelal Sveçla që vetura e babait të tij të ketë xhamat e zinj.
Prindon Sadriu kishte kërkuar që në Certifikatën e Regjistrimit të Automjetit të babait të tij Skënder Sadriu, të evidentohet se posedon folie me ngjyrë të errët në xhamat e veturës.
Këtë kërkesë Zotëriu i Parë e kishte a parashtruar me kërkesën se automjeti i vjehrrit të presidentes Osmani përdoret në raste të rralla edhe nga vetë e presidentja.
“I nderuar Ministër Sveçla: Me shpresën të jeni mirë, në cilësinë e Zotërisë së Parë të Republikës së Kosovës ju kërkoj me konsideratë aprovimin e kërkesës për evidentimin në Certifikatën e regjistrimit të automjetit të folies me ngjyrë të errët të xhamave të përparmë dhe të pasmë të veturës e cila shfrytëzohet nga unë, fëmijët dhe në raste të rralla edhe nga vet Presidentja”, kishte shkruar ndër të tjera në kërkesën e Zotëriut të Parë.
Ndërkaq, automjeti i vjehrrit të presidentes Osmani, për të cilën Zotëriu i Parë ka parashtruar një kërkesë të tillë është një Mercedes C 200 CDI, tip karavan, me vit të prodhimit 2008.
Skender Sadriu, vjehrri i presidentes Osmani, në vitin 2021 nuk drejtonte veturë zyrtare dhe nuk i lejohej vendosja e xhamave të errësuar.
Kjo është e rregulluar me ligjin NR. 02/L-70 Për Sigurinë në Komunikacionin Rrugor, sipas pikës (e), të nenit 200.1.