Në prag të festës së Vidovdanit, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka bërë thirrje që të gjitha palët të tregojnë përmbajtje maksimale, dhe festimet të jenë të qeta.
Në një përgjigje për KosovaPress ata kanë komentuar edhe vendimin e fundit të Gjykatës Themelore në Graçanicë lidhur me shfaqjen e flamurit serb në këto festime.
Gjykata Themelore kishte konstatuar se Komuna e Graçanicës me vendimin për vendosjen e flamurit serb me rastin e festës së Vidovdanit ka cenuar rëndë karakterin unitar dhe kushtetues të Republikës së Kosovës.
Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë thotë se vendimi i Themelores në Graçanicë nuk i garanton plotësisht të drejtat kushtetuese të serbëve të Kosovës. Sipas tyre çështja është brenda kompetencave administrative të Komunës së Graçanicës.
“Lidhur me festimet e të Vidovdanit, BE në Kosovë u bën thirrje të gjitha palëve të përfshira që të tregojnë përmbajtje maksimale, në mënyrë që të mundësohet një zhvillim i qetë i festimeve. Sa i përket shfaqjes së flamurit serb, jemi të informuar për vendimin e fundit të Gjykatës Themelore në Graçanicë, i cili aktualisht është në proces ankese. Në këndvështrimin tonë, ky vendim nuk i garanton plotësisht të drejtat kushtetuese të serbëve të Kosovës. Bazuar në vlerësimin tonë, çështja është brenda kompetencave administrative të Komunës së Graçanicës. Ne nuk e inkurajojmë interpretimin e zgjeruar të këtij vendimi nga institucionet e Kosovës në mënyra që mund të cenojnë të drejtat kulturore ose fetare të individëve apo të Kishës Ortodokse Serbe (KOS), të cilat janë të garantuara me Kushtetutën dhe Ligjet e Kosovës”, kanë thënë nga Zyra e BE-së.
Edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e sotme të Qeverisë ka thënë se pushteti në Serbi mund të nxisë incidente në Gazimestan, që ta heqë vëmendjen nga protestat e brendshme që do të zhvillohen nesër në Beograd.
Vidovdani ose Dita e Shën Vitit shënohet çdo 28 nëntor nga populli serb.
Vidovdani lidhet me Betejën e Kosovës më 28 qershor 1389 midis forcave ballkanase të udhëhequra nga princi Lazar dhe Perandorisë Osmane të udhëhequr nga Sulltan Murati.