Klubi i Futbollit Tirana dhe trajneri italian Roberto Bordin kanë shkëputur ‘martesën’ pas shtatë ndeshjeve. Humbja 1-4 kundër AF Elbasanit të mërkurën ka shkaktuar ‘tërmet’ në kryeqytet dhe drejtuesit e bardhebluve kanë marrë vendimin ekstrem për të shkëputur kontratën me 60-vjeçarin italian. Ironik është fakti se Bordin largohet nga Tirana pas humbjes me ish-ekipin që e drejtoi një sezon më parë.
Tanimë KF Tirana ka gjetur trajnerin e ri dhe ai do jetë Ardian Nuhiu. 46-vjeçari shkupjan edhe më herët ka qenë në “radarin” e bardhebluve, por vetëm në këtë moment palët kanë gjetur rrugën e duhur. Nuhiu është i papunë prej një muaji, kjo pasi mbylli kontratën me Gjilanin në Kosovë. Më herët ai ka qenë trajner i Shkëndijës dhe Dritës.
Trajneri italian zëvendësoi në stol Vangjel Milen te Tirana, me beratasin që e drejtoi ekipin vetëm dy javët e para të sezonit dhe u shkarkua. Prej 7 shtatorit, Bordin ka qenë në stolin e Tiranës për shtatë takime, duke marrë një fitore (derbin kundër Partizanit), dy barazime dhe katër humbje. Me vetëm gjashtë pikë pas nëntë javësh dhe vendin e parafundit në klasifikimi, Bordin largohet me këto shifra nga Tirana.
Stërvitja
Tirana ka anuluar stërvitjen e paradites së sotme dhe pritet që ekipi të jetë në fushë këtë pasdite nën drejtimin e trajnerit të ri, Ardian Nuhiu.